Përurohet Autostrada Ibrahim Rugova
Prishtinë, 26 nëntor - Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në përurimin e Autostradës Ibrahim Rugova kanë deklaruar se kjo rrugë është evropiane. Thaçi ka premtuar se shumë shpejt do të fillojnë punimet në autostradën që lidh Kosovën me Maqedoninë.
Autostrada Ibrahim Rugova është përuruar të martën me një ceremoni në të cilën kanë marrë pjesë liderët më të lartë shtetërorë. Në këtë ceremoni, përveç kryeministrit Hashim Thaçi, ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, një pjesë e kabinetit qeveritar e Republikës së Kosovës, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Bechtel & Enka dhe shumë qytetarë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast ka thënë se po bëhet inaugurimi i rrugës së Kosovës për në Evropë. Ai ka premtuar se shumë shpejt do të fillojnë punimet edhe në autostradën që lidh Kosovën me Shkupin.
Tani kur jemi në prag të shënimit të gjashtëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, kur kemi marrë 104 njohje ndërkombëtare, jemi duke jetuar sot në një moment shumë të rëndësishëm, duke përuruar Autostradën e Kombit Ibrahim Rugova. Kjo rrugë lidh dhe ofron edhe më shumë Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo ditë nëntori është e shënuar për Kosovën. Po inaugurojmë rrugën evropiane të Kosovës. Ky projekt për breza të tërë ishte një ëndërr. Sot secili prej nesh ndihet mirë dhe krenar, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se sot Kosova është një vend, i cili po realizon projekte madhore prej më të rëndësishmeve. Kosova është një vend i bekuar nga Zoti për natyrën që ka, për bukurinë e saj, por edhe për pozicionin e saj në rajon. Kjo autostradë është vetëm fillimi i zhvillimit tonë. Autostrada lidh Kosovën me Shqipërinë dhe nëpërmjet Adriatikut me Evropën, ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se autostrada lidh qytetet dhe vendbanimet e veriut dhe jugut të Kosovës drejt përparimit.
Kjo autostradë që nis nga Adriatiku lidh një komb të vogël, por me vlera dhe njerëz të mëdhenj. Kjo autostradë lidh një rajon të tërë, është shprehur Thaçi. Sipas tij, kjo rrugë është përfunduar në një kohë të shkurtër trevjeçare, por është pjesë e një rruge të gjatë të nisur po në Prizren 135 vjet më parë.
Gjej rastin ta shpreh nderimin më të madh ndaj kontributit të shumë burrave që kanë luajtur një rol kyç në këto përpjekje duke u nisur me Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin, Ismail Qemailin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin për të ardhur tek heronjtë e kohëve tona. U përulemi me respekt të veçantë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës, ka deklaruar Thaçi.
Ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se kjo autostradë moderne është simbol i përkushtimit, vullnetit dhe integrimit tonë.
Kjo rrugë është e ndërtuar tërësisht me para të vendit. Kosova dëshmoi se me forcat vetjake është e aftë të bëjë vepra të mëdha, ka theksuar ajo, duke shtuar se kjo autostradë është arterie që bashkon njerëzit, popujt dhe vendet.
Ajo ka thënë se Kosova vend i lirë, i pavarur e demokratik u fitua me luftën e lavdishme të UÇK-së, me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve mike të Bashkimit Evropian.
"Ne e dëshmuam se me forca vetjake jemi të aftë të bëjmë vepra të mëdha që lehtësojnë komunikimin, që nxisin bashkëpunimin, që ndërlidhin vendet, që mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, që me infrastrukturën e ndërtuar na bëjnë një vend të rëndësishëm jo vetëm tranzit por kontribuues në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian", ka deklaruar ajo
Sipas saj në manifestimet dhe në përurimet e veprave që janë fryt i punës dhe i angazhimit të qytetarëve tanë, duhet të kujtojmë se kjo është e mundshme, sepse Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, që vet menaxhon me resurset e veta, duke i përcaktuar politikat më të mira dhe më efikase zhvillimore në funksion të përparimit dhe të integrimit.
"Kosova vend i lirë, i pavarur e demokratik u fitua me luftën e lavdishme të UÇK-së, me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve mike të Bashkimit Evropian, ne po ndërtojmë një shtet të qytetarëve të barabartë dhe shtet gjithëpërfshirës, ku sundimi i ligjit dhe rendit të jetë bazë e zhvillimit tonë të përgjithshëm dhe ku toleranca ndërmjet qytetarëve të komuniteteve të ndryshme është vlerë e shoqërisë sonë. Po ndërtojmë një shtet, ku liria e secilit qytetar do të respektohet, vlerësohet e avancohet, por në të cilin ligji dhe Kushtetuta janë bazamenti i ndërtimit të tij, dhe ku përgjegjësia e obligimet për shtetin janë të të gjithëve njësoj", ka pohuar ajo.
Duke shtuar se e ardhmja e Kosovës, ashtu si edhe e të gjithë rajonit të Evropës Juglindore, është në Evropë dhe kjo rrugë do të bëhet më e lehtë kur ti përfundojmë reformat tona të brendshme.
"Në krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, në ndërtimin e infrastrukturës së përgjithshme, Udha e Kombit është një vepër madhore që na lidh përjetësisht ndërmjet veti, na mundëson që të komunikojmë lirshëm e pa pengesa, të qarkullojmë mallrat dhe të shfrytëzojmë të gjitha resurset tona për zhvillimin e mirëqenien e popullit tonë", ka deklaruar ajo.
Sipas saj vullneti i pamposhtur dhe bashkimi i forcave tona tregon se jemi të aftë ti përfundojmë me sukses veprat e mëdha.
Vetëm kështu e ndërtojmë të ardhmen e sigurt e prosperuese duke qenë autostrada një arterie komunikimi që i bashkon njerëzit, i bashkon popujt dhe vendet, duke na lidhur me rrugët dhe korridoret më të rëndësishme evropiane, duke nxitur bashkëpunimin e ndërsjellë, duke shumëfishuar përfitimet dhe duke ndikuar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, në këtë shekull të integrimeve, të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian.
"Kjo autostradë moderne është simbol i përkushtimit tonë, simbol i vullnetit tonë, simbol i suksesit tonë, simbol i integrimit tonë", ka theksuar Jahjaga,
Autostrada, të mërkurën hapet për qarkullim për qytetarë
Autostrada e Kosovës Ibrahim Rugova, për qarkullim do të hapet nesër (e mërkurë) nga ora 07:00 .
Standardet e projektit të Autostradës në Kosovë janë TEM (Trans European Motorway): Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së Autostradës në Kosovë është 120 km/orë, aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të miratohet një shpejtësi e projektit prej 140 km/orë. Autostrada Morinë-Prishtinë është e sistemit të mbyllur (hyrje-daljet vetëm në kyçjet e autostradës).
Gjerësia është 28 metra. Janë katër shirita qarkullues me nga 3.75 m, dy shirita për ngadalësim me nga 3.0 m si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej katër metrash.
Autostrada ka mbikalime, nënkalime dhe të gjitha pajisjet e rrugës: Sinjalizimi dinamik (Display), sistemet e komunikimit, ndriçimin në udhëkryqe dhe barrierat kundër zhurmës. Periudha e defekteve është 18 muaj, ndërsa periudha e garancisë është gjashtë vje