26 Dhjetor 2024

Përurohen tri projekte të përfunduara të infrastrukturës rrugore në Istog

Prishtinë, 9 tetor - Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, të entjen ka vizituar komunën e Istogut, me ç’rast ka përuruar disa projekte të përfunduara të infrastrukturës rrugore, si dhe vizitoi disa projekte të tjera, realizimi i të cilave është në vazhdim e sipër.

Në këto aktivitete ministrin Mujota e shoqëroi kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe zyrtarë të tjerë komunalë. Ministri  Mujota dhe kryetari Shatri, përuruan rrugën Prekallë-Tërbuhoc, me gjatësi prej 6.4 kilometrash dhe me gjerësi prej 5 metrash, rikonstruktimin e së cilës e ka financuar Ministria e Infrastrukturës, vlera kontraktuese e së cilës ka qenë 874.468 euro dhe rrugën Tomoc-Kovragë, po ashtu investim i Ministrisë së Infrastrukturës, me gjatësi 10 kilometra dhe gjerësi 5 metra, ndërtimi i së cilës ka kushtuar 971.125 euro.

Projekti i tretë i përfunduar, që u përurua sot, ishte rruga Syne-Mojstir, që ka një gjatësi prej 4.66 kilometrash dhe gjerësi prej 5 metrash, vlera kontraktuese e së cilës ka qenë 487.876 euro, mjete këto nga të cilat 85.57%, ose 417.477 euro i ka siguruar Ministria e Infrastrukturës, ndërsa 14.43%, ose 70.400 euro i ka siguruar Komuna e Istogut.

Mujota, ka theksuar se Ministria e Infrastrukturës, në dy vitet e fundit ka investuar në ndërtimin e mëse 30 kilometrave rrugë në komunën e Istogut dhe se ndërtimi i tyre paraqet një zgjidhje të mirë për banorët e të gjitha fshatrave të kësaj komune, për lehtësimin e jetës së tyre, por edhe për avancimin e bizneseve, për të cilat ndërtimi i infrastrukturës rrugore ka krijuar shumë lehtësira.

Mujota tha se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë edhe më tutje me investime në komunën e Istogut. Ai tha se tashmë është në përgatitje edhe projekti me vlerë prej 1 milion eurosh i rrugës Osojan-Rakosh, me të cilin investimet e dy viteve të fundit të Ministrisë së Infrastrukturës do të rrumbullakësohen në 5 milion e 200 mijë euro.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, falënderoi ministrin Mujota për bashkëpunim, duke vlerësuar se bashkëpunimi në mes nivelit lokal dhe qendror ka qenë i shkëlqyeshëm.

Pas përurimit të këtyre projekteve të përfunduara, ministri Mujota vizitoi edhe dy projekte, që janë në vazhdim e sipër: asfaltimin e rrugës në fshatin Llukavc dhe urën në fshatin Zallç.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)