29 Dhjetor 2024

Përurohen rrugët Piranë - Mamushë dhe Jabllanicë - Zaplluxhë

Prishtinë, 26 tetor - Sot, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë së bashku me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryetarin e Komunës së Mamushës, Arif Bütüç, në fshatin Medvec përuroi përfundimin e punimeve të ndërtimit të rrugës rajonale Piranë – Mamushë.

Po ashtu, ministri Zharku me kryetarin Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi dhe kryetarin Muja përuroi fillimin i punimeve për projektin e vazhdimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë në fshatin Lez. 

Ministri Zharku uroi banorët e kësaj ane për rrugën e re duke i siguruar ata se Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në përmirësimin e infrastrukturës në këtë anë.

“Kjo rrugë është një investim i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej 1,050,00.00 eurosh, me një gjerësi prej 6 metrash, trotuar dhe me gjatësi rreth 6 kilometrash. Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në këtë anë”, tha ndër të tjera ministri Zharku.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja falënderoi ministrin Zharku për investimet që po bënë Ministria e Infrastrukturës në këtë rajon dhe uroi banorët e kësaj ane për rrugën e re.

“Është një moment i veҫantë për qytetarët e këtyre dy komunave. Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë nevojë shumë e madhe për banorët e kësaj ane, sepse kjo rrugë ka qenë shumë e dëmtuar dhe ndërtimi i saj të lehtësojë shumë jetën banorëve”, tha kryetari Muja.

Ndërtimi i rrugës rajonale Piranë – Mamushë do të mundësojë qarkullimin më të mirë të banorëve të komunave të Prizrenit, Mamushës dhe Suharekës.

Po ashtu, vazhdimi i ndërtimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa vlera e saj është në vlerën 751,693.89 euro, me një gjatësi 8.6 kilometrash.

Me këtë rast ministri Zharku theksoi: “Kjo rrugë ka rëndësi të madhe për shkak se do të lehtësojë dhe shkurtojë qarkullimin e banorëve të kësaj ane. Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në komunën e Prizrenit dhe Dragashit, jemi në hartim e sipër të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm dhe së bashku do të përmirësojmë infrastrukturën e këtyre dy komunave”.

Ndërtimi i kësaj rruge ka një rëndësi të veçantë, sepse do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave tjera të Opojës, duke shkurtuar distancën në gjatësi afër 20 kilometrash dhe shpenzimet e udhëtimit.

Projektet e tjera që do të financohen nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Prizrenit janë: Lidhja e Zonës Industriale me autostradën në hyrje të Prizrenit dhe Realizimi i projekteve të tjera infrastrukturore në komunën e Prizrenit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)