Përurohen punimet e rrugës lidhëse të Prizrenit me autostradën
Prizren, 22 tetor - Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, së bashku me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, në Hoqë të Qytetit përuroi filllimin e pinimeve të ndërtimit të segmentit të fundit të rrugës lidhëse të Prizrenit me autostradën Ibrahim Rugova, që do të këtë një gjatësi prej rreth 1 mijë e 200 metrave.
Në fjalën e rastit, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, deklaroi se ky projekt , sikundër edhe projektet e tjera, do të përfundojë me sukses të plotë dhe se deri në sezonin veror kjo rrugë do të mund të shfrytëzohet nga qytetarët.
- Kjo do të jetë një rrugë e standardeve të larta me gjithë infrastrukturën përcjellëse dhe presim që deri në fillimin e sezonit veror turistik të gjithë qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë këtë rrugë për qarkullim. Po ashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës po i vazhdojnë fuqishëm investimet në Komunën e Prizrenit dhe në gjithë rajonin e Prizrenit dhe tashmë kemi filluar edhe projektin tjetër, Piranë-Mamushë, një projekt me vlerë prej rreth 1 milon eurosh. Pra, vetëm brenda dy ditësh kemi filluar projekte me vlerë prej më tepër se dy milionë eurosh, si dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet për hartimin e projektit bashkëpunues në zgjerimin e rrugës Zhur-Dragash, - tha ministri Mujota.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja , tha se kjo është një ditë e madhe për të gjithë qytetarët e Prizrenit, sepse kjo rrugë lidh Prizrenin me autostradën në drejtimin Lindje-Përëndim. Ai po ashtu shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës, e jo vetëm të Prizrenit, do të mund të bëjnë një kalim komod në këtë rrugë.
- Ky është një projekt që do ta realizojë Ministria e Infrastrukturës, të cilën ne, qytetarët e Prizrenit, e falënderojmë nga zemra edhe për gjitha projekte tjera që i ka përfunduar deri tash dhe për ato që planifikon ti realizojë në të ardhmen. Me këtë pjesë të këtij segmenti qyteti i Prizrenit po e rrit vlerën e vet dhe po lidhet me autostradën. Jo vetëm qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë do ta kenë komod kalimin nëpër këtë pjesë të rrugës me katër shirita, që e lidh Prizrenin me autostradën, për të kaluar në bregdetin shqiptar, - tha Ramadan Muja.
Në fund duhet thënë se realizimi i këtij projekti do të kushtojë rreth 1 milion e 150 mijë euro.