Përurohen dy rrugë në Ferizaj


Ferizaj, 30 shtator - Banorë të komunës së Ferizajt dhe ata të komunave tjera që u duhet të kalojnë nëpër këtë qytet nga sot do të kenë më të lehtë qasjen në komunikacion për të hyrë dhe dalë nga ky qytet.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa kanë bërë inaugurimin e fazës së dytë të punimeve në rrugën Brahim Ademi e Driton Islami.
Me këtë rast ministri i infrastrukturës Lutfi Zharku tha se fillimi i punimeve të kësaj pjese të rrugës ka filluar dhe tashmë kontraktuar edhe asfaltimi. Zharku po ashtu theksoi se po punohet edhe në shumë projekte të tjera, të cilat beson se do të jenë në buxhetin e vitit të ardhshëm për komunën e Ferizajt.
\"Vetëm infrastruktura rrugore ka kushtuar mbi 1 milionë euro. Do të shihni rezultate konkrete, pasi që ne kemi projekte tjera, kemi nënkalimet, gjithashtu po punojmë në projekte tjera që do të jenë në Komunën e Ferizajt.\"
\"Vitin e ardhshëm do të ketë investime të tjera. Kryetari i ka kërkuar 20 milionë euro, megjithatë ne jemi në fazën e projektimit dhe do t\'i marrim parasysh të gjitha çështjet që kryetari i përzgjedh më të rëndësishme do të mundohemi t\'i mbështesim\", ka thënë Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Ndërsa, kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, tha se fillimi i punimeve të kësaj rruge ka kushtuar rreth 4 milionë e 670 mijë euro nga të cilat komuna ka participuar me 400 mijë euro.
\"Kjo rrugë është një nyje jashtëzakonisht e mirë e komunikacionit si një unazë e brendshme e qytetit për të gjithë ata që nuk kanë nevojë të futen në qytet dhe që vijnë nga qyteti i Shtimes dhe Prizrenit për daljen në magjistralen që lidh Prishtinën me Shkupin.\"
\"Do të ketë infrastrukturë të kompletuar nëntokësore, do të ketë shtigje për këmbësor 2 metra të gjera dhe për biçikleta një metër, do të ketë ndriçimin. Ne kemi konkurruar për vitin e ardhshëm me afër 30 projekte. Shpresojmë të jemi përfitues, besojmë që edhe zgjidhja e problemit të hekurudhës që ka ndarë qytetin dhe ka shkaktuar pengesa të shumta do të zgjidhet. E falënderojë ministrin për gatishmërinë për të na ndihmuar.\"
\"Deri më tani s\'kemi përfituar asnjë projekt nga institucionet qendrore. Në përbërjen e re qeverisëse nga momenti që ka marrë këtë ministri zotëri Zharku më me vëmendje po shikohet Ferizaj\", ka deklaruar kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.
Gjatësia e ndërtimit të kësaj rruge është 4.5 kilometra dhe vlera totale e kontratës është 3,722,823,59 euro.