Përmirësohet qarkullimi në të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale

Prishtinë, 8 janar - Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se në të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale është përmirësuar dhe lehtësuar qarkullimi.
Menaxherët regjional me ekipet tyre dhe kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës janë duke punuar pandërprerë në teren, për të përmirësuar dhe lehtësuar qarkullimin në komunikacion.
MI njofton se po punohet në rrugën rajonale Brezovicë - Prevallë, e cila pritet të hapet sot dhe rrugën Brezovicë - Qendra e Skijimit, në të cilën gjenden shumë automjete të qytetarëve, të cilat do të largohen për ta zhbllokuar këtë rrugë.
Ministria e Infrastrukturës iu bën apel të gjithë qytetarëve që të jenë shumë të kujdeshëm në komunikacion dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore për qarkullim.