Përfundon segmenti i dytë i autostradës Morinë Merdare
Prishtinë, 26 nëntor - Përfundon asfaltimi i segmentit të dytë të autostradës së kombit Ibrahim Rugova e që përurohet nesër, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Pjesa prej 61 kilometrash e autostradës në pjesën e Kosovës, nga Vërmica në Gjurgjicë të Malishevës, prej datës 27 do të lëshohet në qarkullim dhe do të jetë e kalueshme për të gjithë qytetarët që duan të marrin pjesë në Festën e Flamurit në Shqipëri.
Autostrada Durrës Kukës Morinë Merdar, projekti më madhor në historinë e shqiptarëve vlerësohet i rëndësishëm në shumë dimensione, si atë politik, po ashtu edhe ekonomik e shoqëror.
Përfitimet nga kjo rrugë konsiderohen shumë të mëdha në aspektin afatgjatë. Distanca është zvogëluar ndjeshëm, është rritur mundësia e bashkëpunimit, është krijuar lehtësi e madhe për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave nga njëri vend në tjetrin; Kosovës i është krijuar mundësia për dalje në det, ndërkaq Shqipërisë i është zgjeruar mundësia për zhvillimin e turizmit.
Ditën e martë përurohet segmenti i dytë i autostradës Vërmicë Prishtinë, deri në Gjurgjicë të Malishevës. Të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të marrin pjesë në festën e Flamurit në Shqipëri, do të mund të udhëtojnë përmes kësaj autostrade moderne, që tani ka 60.4 kilometra. Qeveria e Kosovës ishte zotuar se ky segment do të përfundonte dhe do të lëshohej në qarkullim para festës së pavarësisë së Shqipërisë. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, thotë për Radio Kosovën po e mbajnë premtimin e dhënë.
Ka qenë objektiv i përbashkët i qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë punëkryrëse, Bechtel Enka që më 27 nëntor të bëjmë përurimin e segmentit të ri, përkatësisht të përmbushim 60.4 kilometrat e rrugës së kombit në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ditës së Flamurit. Dhe jemi të gjithë të kënaqur që këtë objektiv e kemi arritur, në saje të një pune të përbashkët, një angazhimi të përbashkët, një pune e cila ka dëshmuar se kur qëndrojnë të gjithë të bashkuar në realizimin e një projekti kaq madhor për vendin, në kuptim të ndërtimit të infrastrukturës, atëherë qëllimet janë të arritshme, theksoi ai.
Drejtues të qeverisë në vazhdimësi kanë inspektuar punimet në autostradën e kombit. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë inspektimit që i ka bërë punimeve në seksionin e pesë, ka thënë se përmes realizimit të këtij projekti madhor, po realizohet edhe ëndrra e qytetarëve të Kosovës.
Ky është projekti i ëndrrave të qytetarëve të Kosovës që po bëhet realitet. Tanimë qytetarët do të lëvizin sikur të gjithë evropianët në rrugë moderne, sikur e gjithë bota perëndimore, ndërsa me përfundimin e kësaj autostrade prej më moderneve në rajon do të punojmë dhe jemi në fazën jashtëzakonisht të rëndësishme që të fillojë edhe procesi tjetër, ai i ndërtimit të autostradës së re që do ta lidhë Prishtinën dhe Shkupin, tani mjetet e para veç janë ndarë, tha Thaçi.
Konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka, që filloi punimet në autostradën e Kosovës në vitin 2010, ka punuar intensivisht në këtë projekt të madh infrastrukturor. Për rreth dy vjet e gjysmë, ka arritur të ndërtojë pesë seksione të kësaj autostrade, duke asfaltuar rreth 61 kilometra, që do të hapen për qarkullim para datës së pavarësisë, thotë zëdhënësja e kompanisë Bechtel Enka, Ela Ruçi.
Jam jashtëzakonisht entuziaste për faktin që më datën 27 nëntor ne do të jemi në gjendje të dorëzojmë seksionin e pestë të autostradës, dhe të plotësojmë një dëshirë të jashtëzakonshme që pati qeveria, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë për ta parë atë pjesë të hapur para pavarësisë. Kjo do të bëjë të mundur që kushdo që do të festojë më 28 Nëntor të udhëtojë drejt Shqipërisë përmes një autostrade të re, sepse kjo pjesë është zemra e autostradës dhe lidh Kosovën me Shqipërinë, tha ajo.
Ndonëse në një territor më lehtë sesa në Shqipëri, kompania Bechtel Enka që realizon këtë projekt ka pasur vështirësi, sidomos për shkak se dimri i kaluar ishte shumë i ftohtë, dhe punimet në seksionin që përurohet tani, kanë filluar tek në muajin prill. Megjithëkëtë, projekti po realizohet para afatit, thotë Ruçi.
I gjithë projekti është shumë kompleks, ka shumë elemente që e bëjnë projektin të vështirë, qoftë në konceptin e menaxhimit, qoftë të disenjimit dhe projektimit të tij e bëjnë të vështirë për realizim, por ajo që mund të them me gjithë këto vështirësi, rezultatet janë të dukshme, sepse tre seksionet e para janë hapur një vit para afatit, sezoni katër u hap para sezonit veror, ashtu sic ne premtuam dhe seksioni i pestë hapes sot shtatë muaj para afatit, kështu që gjithë vështirësitë nuk kanë më vend për sa kohë ne realizuam projektin, theksoi ajo.
Qytetarët, të cilët udhëtojnë nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas e kanë më të lehtë qarkullimin. Ata e kanë mirëpritur realizimin e këtij projekti, duke e vlerësuar të dobishëm për popujt e dy anëve të kufirit.
Bashkim Mahmutaj nga Shqipëria, udhëton shpesh drejt Kosovës, dhe thotë se pikërisht autostrada e mundëson një gjë të tillë. Unë vij shpesh, edhe dje qenë gjithë ata autobusë, për të parë Lidhjen e Prizrenit, për të shkuar në Prishtinë, jemi shuam të kënaqur me atë që bëhet. Ka lehtësim të madh, tha ai.
Edhe qytetarë tjerë që kanë ardhur për vizitë në Kosovë, thonë se autostrada e ka lehtësuar shumë qarkullimin.
Jam jabanxhi, hera e parë që vij këtu, na duket diçka shumë e mirë, e shkëlqyeshme, na duket një entuziazëm në prag të 100 vjetorit të pavarësisë që po e përjetojmë ne si komb shqiptar. Ka njerëz, ka lëvizje, ka rregull, ka disiplinë, ka korrektësi, si nga ana e punëtorëve të policisë, po ashtu edhe të doganave si nga kufiri i Shqipërisë, po ashtu edhe nga ai i Kosovë. Autostrada na ka lehtësuar shumë, e ka bashkuar kombin, e ka bërë si një shtet të vetëm, theksoi ai.
Ekspertët ekonomikë nga Kosova vlerësojnë se kjo autostradë ka rëndësi të madhe mbarëkombëtare. Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se ndërtimi i kësaj rruge ka rëndësi kombëtare, politike dhe ekonomike.
Në dimensionin kombëtar kjo autostradë e bashkon fizikisht kombin, përkatësisht territoret etnike shqiptare që për mua paraqet një objekt më madhor gjithëkombëtar në historinë tonë. Në aspektin politik paraqet lidhjen e dy e më shumë vendeve të Ballkanit, në këtë rast lidh Shqipërinë, Kosovën, Serbinë si dhe vendet tjera të Evropës qendrore, të cilat mund të lidhen përmes kësaj autostrade. Dhe normalisht rëndësi shumë të madhe kjo autostradë ka në aspektin ekonomik, për arsye se paraqet një aks, një bosht të zhvillimit ekonomik, tha Limani për Radio Kosovën.
Limani thotë se përmes autostradës të dy vendet do të rrisin tregun e tyre, dhe biznesin ta shtrijnë edhe përtej kufijve shtetërorë. Rezultatet e kësaj rruge tashmë janë të dukshme, pasi kanë ndikuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare, por edhe të turizmit. Por sipas Limanit, autostrada ka edhe efekte tjera.
Kjo autostradë do ta rritë rëndësinë e Portit të Durrësit, dhe do ta lërë nën hije Portin e Selanikut dhe atë të Tivarit. Sido që të jetë, autostrada Durrës Mërdar, e cila është propozuar të vazhdohet deri në Nish ka rëndësi multiplikative politike, kombëtare dhe ekonomike për Shqipërinë dhe Kosovën, e më pak për Serbinë, tha ai.
Investimet në infrastrukturë janë mirëpritur edhe nga komuniteti i biznesit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se përmirësimi i infrastrukturës rrugore ndikon fillimisht në rritjen e shkëmbimeve tregtare, por në afat të gjatë edhe në zhvillimin ekonomik.
Në të njëjtën kohë kemi kërkuar që krahas infrastrukturës, të punohet në mënyrë paralele edhe për fuqizimin e sektorit privat, përmirësimin e ambientit biznesor dhe të eliminohen barrierat e ndryshme që ekzistojnë në aspektin e implementimit të proceseve ekonomike në relacion Prishtinë-Tiranë. Është koha që kjo infrastrukturë të vihet në funksion të zhvillimit, në funksion të shfrytëzimit të potencialeve të ekonomive të të dy shteteve dhe nga kjo infrastrukturë të arrihet punësim, përmirësim të bilancit të pagesave dhe atraktivitet që investitorët e huaj të investojnë në këto dy shtete, theksoi ai.
Kreu i OEK-ut, Gërxhaliu, përkrah realizimin e projekteve rrugore edhe në drejtim të shteteve tjera të rajonit, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit ekonomik.
Iniciativat e tilla për vazhdim të ndërtimit të këtyre rrugëve, qoftë në drejtim të Serbisë, Malit të zi apo Maqedonisë, Oda ekonomike do ti mbështetë gjithmonë, sepse infrastruktura është platformë e avancimit dhe ngritjes së nivelit të avancuar të bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe promovim i mundësive që përmes zhvillimit ekonomik të minimizohen qoftë problemet e natyrës politike, qoftë të natyrës sociale, deklaroi Gërxhaliu.
Pas përurimit të 61 kilometrave të autostradës, konsorciumi Bechtel-Enka do të vazhdojë realizimin e projektit drejt Prishtinës. Zëdhënësja e konsorciumit, Ela Ruçi, thotë se do të vazhdojnë hapjen dhe ndërtimin e seksioneve tjera.
Ne mendojmë që menjëherë pas shpronësimit të seksioneve 7, 8 dhe 9, ta nisim punën dhe ta përfundojmë projektin brenda afateve që janë përcaktuar. Deadline-i jonë është viti i ardhshëm, shtatori-tetori i vitit të ardhshëm, por gjithçka varet pastaj nga terreni, nga shpronësimi etj. Por besoj që ne i kemi dhënë faktet që në momentet që jemi në trase dhe nisim punën, ne mund ta realizojmë jo brenda afatit, por para afatit, tha ajo.
Edhe Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota shfaq bindjen se projekti do të përfundojë sipas planit, kah fundi i vitit të ardhshëm.
Për vetëm 30 muaj kemi arritur 60.4 kilometra, ose marrë në mesatare, pak më shumë se dy kilometra për çdo muaj, jemi të bindur se do të arrijmë me sukses ta përmbyllim kontratën e nënshkruar me Bechtel-Enkën dhe deri në fund të vitit 2013 do ta përfundojmë këtë projekt. Kjo na siguron edhe mbi faktin e asaj që tashmë kemi punuar shumë në shpronësimet e segmentit 7, 8 dhe 9, dhe përderisa këto procedura kanë përfunduar, garantojnë se punimet mund të fillojnë suksesshëm edhe në segmentet që kanë ngelur pa përfunduar sipas kontratës. Mbi të gjitha këtë na siguron edhe buxheti i vitit 2013 që është miratuar në lexim të parë dhe presim të kalojë edhe në të dytin, tha Mujota.
Ministri Mujota thotë se gjithçka po shkon sipas planit dinamik, edhe sa i përket kryerjes së obligimeve financiare ndaj konsorciumit. Ai thekson se deri në fund të vitit shuma e përgjithshme që do të paguajë qeveria për konsorciumin Bechtel Enka do të jetë 584 milionë euro për 60.4 kilometrat e ndërtuar.
Është diskutuar që autostrada e kombit të mos ndalet në Prishtinë, por të vazhdojë drejt Serbisë me financim të Komisionit Evropian. Ministri Mujota thotë se një projekt i tillë kërkon studim, projektin teknik dhe atë zbatues, dhe për këtë, ai thekson se duhet të merret vendim nga ana e qeverisë, që mund të rezultojë pas bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë.
Në gatishmëri të Komisionit Evropian për të investuar në këtë aks rrugor, qeveria e RK-së është e gatshme të marrë përsipër të gjitha përgatitjet teknike për një fizibilitet dhe për projektin tjetër zbatues, ashtu sic do të parashihet, ne jemi të gatshëm të reagojmë me kohë në këtë drejtim dhe të marrim përsipër të gjitha obligimet tona që na takojnë. Mbi të gjitha të mund të tërheqim edhe një investim nga Komisioni Evropian për ta bërë më funksionale këtë rrugë që do të lidhte rajonin, theksoi ai.
Ideja për vazhdimin e autostradës drejt Serbisë është mirëpritur si nga ekspertët, po ashtu edhe nga komuniteti i biznesit. Profesori Musa Limani thotë se me vazhdimin e saj, kjo autostradë merr karakter evropian dhe më gjerë.
Vazhdimi i autostradës Merdar Nish do të ketë një karakter shumë më të gjerë sesa do të ishte deri në Merdar, për arsye se nëpërmes kësaj autostrade lidhet Serbia, por lidhen edhe vendet tjera të Evropës si është Rumania, Hungaria etj. Dhe në aspektin politik, ne jemi për fqinjësi të mirë me vendet për rreth, edhe me Serbinë, ndonëse tash nuk kemi raporte të mira politike. Kjo është edhe në frymën e proceseve integruese evropiane dhe të globalizimit, tha ai.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, mbështet idenë e vazhdimit të autostradës, por edhe ndërtimin e rrugëve tjera që e lidhin Kosovën me rajonin.
Nga vet fakti se do të jetë e financuar nga fondet e Komisionit Evropian ne nuk duhet të ndalemi vetëm në këtë fushë, pse të mos bëhet projeksion qeveritar që të kemi investim dhe fillim të një propozimi për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë-Leposaviq-Rashkë. Nëse e kemi këtë mundësi, pse të mos jemi të interesuar që ta avancojmë infrastrukturën në drejtim të Malit të Zi përmes Pejës, tha ai.
Qeveria e Kosovës planifikon që në pranverë të vitit 2013 të fillojë edhe realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, për të cilën fillimisht ka ndarë 30 milionë euro. Ministri Fehmi Mujota, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe shfaq bindjen se do të kryhen edhe procedurat e prokurimit publik dhe tenderimit ndërkombëtar.
/RTK/