Përfundon projekti për zgjerim të rrugës në Pikë Kalimin Kufitar në Vërmicë
Bratislavë, 31 tetor - Me një ceremoni solemne, ka përfunduar projekti për zgjerim të rrugës në Pikë Kalimin Kufitar (PKK) në Vërmicë.
Me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se objektiv i Qeverisë së Republikës së Kosovës është zhvillimi dhe investimi i mëtejmë si në këtë Pikë Kalim Kufitar, ashtu edhe në pikë kalimet tjera, me qëllim që të gjitha të jenë të pajisura me objekte dhe pajisje përcjellëse për ushtrim të kontrollit dhe kontrollimeve kufitare, sa më efektive dhe efikase.
Shpresoj se edhe ky investim do të lehtësojë edhe më tepër rrugën tonë që në të ardhmen e afërt të mos ketë fare pika kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, por të jetojmë në një hapësirë evropiane në të gjithë territorin tonë, të mos ketë pengesa të tilla kufitare, tha Kryeministri Hashim Thaçi.
Ai shtoi se Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe siguria në kufi, përbën një angazhim të veçantë në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionin në fuqi, veprimet politike dhe sigurinë kombëtare brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, strukturat tjera ndërkombëtare dhe ndërtimin e besimit me shtetet fqinje.
Bazuar në Strategjinë Kombëtare për MIK, parametrin për rregullimin e infrastrukturës dhe bazuar në planifikimin e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Financave dhe autoriteteve kufitare të përfshira në MIK, që janë në vartësi të këtyre ministrive, u iniciua projekti që kushtoi 376 mijë e 490 euro, në rregullimin dhe standardizimin e infrastrukturës në PKK Vërmicë.
Kjo iniciative e Qeverisë së Republikës së Kosovës u bë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, njëkohësisht në ofrimin e kushteve sa më të mira të zyrtarëve që punojnë në kufi.
Në këtë ceremoni gjithashtu morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Financave, Besim Beqaj, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, drejtori i Policisë Kufitare, Shaban Guda, drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna etj.