Përfundon faza e parë e inspektimit të operatorëve të telefonisë mobile
Prishtinë, 29 dhjetor - Në vazhdën e aktiviteteve për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Nr/03/L-172, implementimit të Planit të Punës për vitin 2011, zbatimit të rekomandimeve të cilat nga Raporti i Progresit i Komisionit Europian, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përfunduar fazën e parë të inspektimit të operatorëve të telefonisë mobile të cilët operojnë në Kosovë.
Gjatë fazës së parë të kontrollit nëpër kompanitë e operatorëve mobil,komisioni i formuar për këtë qëllim ka kryer kontrollin e detajuar në bazë të autorizimeve që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke bërë verifikimin e sigurimit të mjaftueshëm të hapësirave ku trajtohen të dhënat personale,masat e sigurisë në vendet dhe hapësirat ku ruhen ato të dhëna si dhe saktësinë e të dhënave personale që kolektohen nga abonentët respektiv të operatorëve gjegjës.
Në këtë kuadër komisioni ad-hoc i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,pas analizës së raporteve dhe inspektimit të vendit dhe hapësirave të operatorëve të telefonisë mobile,me çrast trajtohen të dhënat personale të abonentëve,ka nxjerrë përfundimet se operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, tejkalojnë qëllimin për të cilin janë grumbulluar apo përpunuar dhe çfarëdo mbajtje apo depozitim i mëtutjeshëm përbën shkelje ligjore dhe si i tillë është i sanksionuar.
Për më tutje, komisioni në bazë të të gjeturave fazave të inspektimit nëpër operatorë,për të lartpërmendurit ka marrë vendim për ndërmarrjen e masave vijuese si:
-asgjësimin e të gjitha kopjeve fizike dhe elektronike të dokumenteve të depozituara me rastin e verifikimit të të dhënave personale abonentët të cilët nuk janë aktiv dhe të cilët i kanë kryer detyrimet apo pasi ti kenë përfunduar procedurat gjyqësore;
-marrjen e masave për sigurimin e masave për ruajtjen e dosjeve fizike,bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
-mosmbajtjen e kopjeve fizike dhe atë asnjë lloj dokumenti që përmban të dhëna personale pasi të kenë përfunduar procedurat e verifikimit dhe përcaktimin e një zyrtari përgjegjës për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave personale brenda strukturave organizative të kompanive gjegjëse.