Përfundon edhe segmenti i fundit i rrugës Durrës-Kukës
Kukës, 5 janar - Përfundimi i punimeve në një segment prej 5 km në hyrje të qytetit të Kukësit, e ka bërë plotësisht funksionale autostradën nga Morini deri në pikën lidhëse në Milot me autostradën tjetër Tiranë Shkodër.
Projekti për këtë segment zgjati tej afateve të parashikuara dhe solli mjaft probleme për drejtuesit e automjeteve, të cilët detyrimisht duhet të përshkruanin rrugën e vjetër, duke mos harruar dhe disa aksidente të rënda në punë e sipër.
Pas përfundimit të këtij segmenti dhe vënien në punë para disa muajsh të dy galerive të tunelit të Kalimashit, koha e udhëtimit nga kufiri me Kosovën për në Tiranë është reduktuar ndjeshëm dhe nuk zgjat më shumë se dy orë, në një udhëtim me shpejtësi normale.
Duke përjashtuar segmentin nga Rrësheni në Milot që është me dy kalime, e gjithë pjesa tjetër e autostradës është më katër korsi.
Ndonëse qarkullimi në autostradë vijon pa ndërprerje, ende në disa pika kritike punimet vijojnë pas defekteve që janë shfaqur.
Ato kanë të bëjnë kryesisht me sistemimin e shpateve të rrugës dhe rrëshqitjes së inerteve. Puna vijon dhe për dyfishimin e 7 urave nga Kukësi në Morin duke i bërë më katër kalime.
Qarkullimi në autostradë dhe në galeritë e tunelit të Kalimashit është pa ndërprerje dhe pa pagesë.
Fluks qarkullimi
Autostrada dhe tuneli jo vetëm kanë shkurtuar distancën mes Kukësit e Kosovës me pjesën tjetër të vendit, por kanë bërë që të këtë dhe një fluks të jashtëzakonshëm të qarkullimit të automjeteve.
Vetëm në sezonin turistik të verës sipas të dhënave të policisë, rruga është përdorur nga afro një milion turistë nga Kosova me qindra e mijëra automjete.
Edhe në ditët e fundvitit dhe ditët e para të vitit të ri 2011, autostrada po përdoret masivisht nga emigrantët që kanë kaluar festat e fundvitit pranë familjeve të tyre.
Ndërtimi i autostradës Durrës - Kukës, i cili nisi para katër vitesh, konsiderohet si vepra më e madhe infrastrukturore në vend.
Ajo ka një gjatësi 150 km dhe vepra më e madhe dhe më e rëndësishme është tuneli i Kalimashit me gjatësi 5.6 km që shkurton me tre orë rrugën e vjetër.
Por ky investim i konsideruar dhe si Rruga e Kombit ka sjellë debate të shumta mes pozitës dhe opozitës.
Kjo e fundit ka akuzuar qeverinë për shpërdorime të fondeve dhe që sipas saj ende nuk dihet fatura përfundimtare e rrugës.
Ndërkohë qeveria e konsideron debatin politik dhe dashakeqës, sipas saj, nga ana e opozitës.