Përfundojnë 30 për qind e punimeve në aeroportin e ri të Stambollit
Stambolli, 16 gusht - Kanë përfunduar 30 për qind e punimeve në aeroportin e ri të Stambollit, i cili do të ketë një kapacitet me 200 milionë udhëtarësh në vit, do të ofrojë shërbime për 150 kompani fluturimi dhe do të ketë më shumë se 350 destinacione.
Për etapën e parë deri tani janë shpenzuar 2 miliardë euro dhe numri i punonjësve që punojnë aktualisht në ndërtimin e aeroportit që është 17.500 parashikohet të rritet në 30 mijë.
Drejtori ekzekutiv i İstanbul Grand Airport (IGA), Jusuf Akçajollu (Yusuf Akçayoğlu), në një deklaratë për gazetarin e AA-së duke vënë në dukje se pas tentativës për puç nga Organizata Terroriste Guleniste (FETÖ) punimet nuk janë ndërprerë aspak, tha se kjo tentativë e pabesë e ka rritur edhe më shumë vullnetin për të punuar.
Ai ka theksuar se me tentativën e dështuar për grusht shteti është vërejtur më mirë se disa segmente janë shqetësuar që vendi po përparon drejt objektivave 2023 (100-vjetori i republikës) nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).
\"Në mëngjesin e puçit ne iu përkushtuam edhe më shumë punës tonë dhe për atë javë kemi vazhduar të punojmë për 24 orë me synimin për të realizuar objektivin tonë. Në këtë mënyrë kemi treguar se ne vazhdojmë në mënyrë të vendosur në rrugën tonë\", u shpreh Akçajollu. Gjithashtu ai ka rikujtuar se etapa e parë ka nisur në muajin maj 2015.
Pasi ka theksuar se do të arrijnë të përfundojnë në kohën e caktuar ( shkurt 2018) aeroportin në rast se arrijnë shpejtësinë e përparimit të punimeve me 4-5 për qind, Akçajollu ka dhënë edhe disa informacione mbi ecurinë e punimeve: \"Aktualisht kemi 17. 500 punonjës dhe kjo shifër sa vjen e rritet. Kemi përshpejtuar pak më shumë punimet natën, në këtë kuptim kemi biseduar me nënkontraktorët. Numri i punonjësve tanë do të vijë duke u rritur dhe duke u përditësuar. Parashikimet tona janë që të arrijmë në 25-30 mijë punonjës.\"
CEO Istanbul Grand Airport (IGA), Jusuf Akçajollu më tej duke shtuar se pas përfundimit të të gjitha fazave aeroporti do të ketë një kapacitet prej 200 milionë udhëtarë në vit dhe me më shumë se 350 destinacione. Në Aeroportin e ri të Stambollit do të operojnë mbi 150 kompani fluturimi dhe se ky aeroport është kandidat për tu bërë më i rëndësishmi në aviacionin civil në botë.
Duke vënë në dukje se aeroporti është kandidat për tu bërë kantieri më i madh në botë Akçajollu u shpreh: \"Aeroporti i ri i Stambollit edhe nga pikëpamja e makinerive që përdoren në kantier është kandidat për të hyrë në librin e Rekordeve Guinness. Në kuadër të projektit janë aktive mbi 3.000 makineri si dhe 2.200 kamionë, 252 ekskavatorë, 60 vinça kullë, 57 makineri asfaltimi, 101 ekskavatorë me zinxhirë, etj. Projekti i aeroportit me këtë veçori është në cilësinë për tu vlerësuar si projekti më i madh në botë edhe në aspektin e numrit të makinerive dhe pajisjeve që përdoren.\"