Përfituesit e depozitës 3-milionëshe për PTK-në
Prishtinë, 7 tetor - Tre milion eurot që Axos i ka dhënë si depozitë për privatizimin e Postë dhe Telekomit të Kosovës (PTK), ende nuk dihet nëse do ti kthehen në rast se dështon privatizimi i kësaj ndërmarrjeje kosovare.
E gjitha varet nëse privatizimi i PTK-së dështon me faj të Qeverisë së Kosovës paratë do duhej ti ktheheshin kompanisë Axos, por nëse dështon me faj të Axos, pra nëse kjo e fundit tërhiqet, paratë nuk kthehen prapa.
Kështu ka bërë të ditur për Zëri zëvendësministri i zhvillimit ekonomik, Ramadan Hasani. Besoj që depozita prej 3 milionë eurove që Axos i ka dhënë për blerjen e PTK-së, është dashur ti kthehet nëse dështon privatizimi me fajin tonë, e nëse ata tërhiqen atëherë nuk u kthehen, tha Hasani.
Kompania gjermane \"Axoskapital\", në konsorcium me Najafi Companies LLC dhe me partnerët e saj para gjashtë muajve është shpallur fituese e ofertës financiare për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTKsë, në vlerë prej 277 milionë eurove.
Fillimisht si depozitë Axos i ka dhënë Qeverisë 3 milionë euro, ndërsa pjesën e mbetur siç është thënë prej zyrtarëve të qeverisë në atë kohë ka pasur afat që ti japë deri në fund të muajit gusht të këtij viti.
Pse nuk ka ndodhur kjo, zëvendësministri Hasani thotë se gjatë gjithë kësaj kohe udhëheqësit e Axos janë përpjekur që të ulin çmimin e ofertës prej 277 milionëve.
Arsyeja pse nuk e kanë bërë pagesën e pjesës së mbetur, është se si çdo biznes tjetër e bëjnë maksimumin për të përfituar e këtë rast Axos ka tentuar disa herë që të ulë çmimin, tha Hasani.
/Zëri/