Për shkak të kushteve të rënda atmosferike anulohen disa fluturime
Prishtinë, 6 janar - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari" ka njoftuar se sot kanë qenë të planifikuara 46 fluturime gjithsejt, në shkuarje dhe në ardhje, por janë realizuar vetëm 7 fluturime, 5 shkuarje e 2 ardhje deri me tani.
Driton Hyseni menaxher i orareve në ANP përmes një postimi në facebook ka njoftuar se pritet që të realizohen edhe 8 fluturime që ende janë në plan të operohen në orët e vona të mbrëmjes.
Ai ka bërë të ditur se disa fluturime për shkak të kushteve të rënduara atmosferike janë anuluar, ndërsa një pjesë e tyre janë transferuar dhe pritet të realizohen nesër.
"Lusim udhëtarët që për fluturimet e parealizuara të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse për të aranzhuar itinerarin e ri të fluturimeve dhe informacione shtesë!", ka thënë Hyseni.