Për 3 javë shtyhet nënshkrimi i kontratës për shitjen e PTK-së
Prishtinë, 17 korrik - Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së është takuar sot për të shqyrtuar kërkesën operatorit të shpallur ekonomikisht më të favorshëm për blerje të 75% të aksioneve të PTK-së, për shtyrje prej 3 javësh të afatit për nënshkrim të kontratës për shitje të aksioneve të PTK-së.
KQP ka analizuar rrethanat e krijuara nga kërkesa për shtyrje të nënshkrimit të kontratës dhe ka ardhur në përfundimin se shtyrja për tre javë e afatit për nënshkrim të kontratës nuk do të ketë ndikime negative në mbarëvajtjen dhe përmbylljen me kohë të procesit të privatizimit të aksioneve të PTK-së.
Duhet të theksohet se dokumentet e tenderit rregullojnë në mënyrë të qartë përmbylljen e kontratës, e cila duhet të ndodhë brenda 270 ditëve pas shpalljes së operatorit ekonomikisht më të favorshëm, ndërsa nënshkrimi fillestar duhet të ndodhë pas 60ditësh pune nëse palët janë të gatshme për një gjë të tillë.
Kjo shtyrje nuk ndikon në datën e përmbylljes së kontratës e cila gjithsesi duhet të ndodhë brenda 270 ditëve nga shpallja e operatorit ekonomikisht më të favorshëm.
Vendimi për shtyrje të afatit për nënshkrim të kontratës është marrë në bazë të rekomandimit dhe analizës ligjore të bërë nga këshilltari i transaksionit.
KQP konsideron se ky proces është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe duhet të lejuar kohë e nevojshme në dispozicion për përgatitjet e duhura teknike për konsorciumin e kompanive të shpallur ekonomikisht më i favorshëm për blerje të aksioneve të PTK-së.
KQP e konsideron si shumë të suksesshëm këtë proces deri më tani dhe kjo shtyrje për përgatitje teknike, e kërkuar nga operatori ekonomik, nuk do të ndikoj negativisht në proces.
KQP është e përkushtuar që të jetë maksimalisht transparente në këtë proces, të respektoj ligjet e vendit dhe standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla.
Po ashtu, KQP konsideron se nga privatizimi i PTK-së do të përfitoj ekonomia e vendit, qytetaret e Kosovës dhe punëtorët e kompanisë, ndërsa efektet fillestare në ekonominë e vendit priten të shihen pak kohë pas përfundimit të transaksionit.