Pasagjerët të bllokuar nga falimentimi i linjës ajrore Flybmi
Londër, 19 shkurt - Qindra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar në Europë pasi linja ajrore britanike "Flybmi" paraqiti papritmas falimentin.
Pasagjerëve të prekur iu kërkua të kontaktojnë me agjencitë e tyre të udhëtimit, si dhe me kompanitë e sigurimeve dhe të kartave të kreditit.
Kompania e argumentoi këtë vendim si të duhurin pasi mes të tjerave ishte prekur negativisht nga rritja e çmimit të karburantit dhe nga pasiguria mbi "Brexit"-in.
Parlamentari britanik Mark Francois tha se për dështimin e kompanisë nuk duhet të drejtohet gishti tek "Brexit"-i.
"Askush nuk dëshiron të shohë mbylljen e një linje ajrore dhe personalisht më vjen keq për ata të cilët prenotuan fluturimet e tyre përmes Flybmi dhe kanë humbur paratë dhe që tani duhet të gjejnë mënyra të tjera për të cilat duhet të paguajnë dyfish. Por nuk mendoj që kjo erdhi si pasojë e Brexit-it. Mendoj se kjo erdhi, fatkeqësisht, nga puna jo e mirë e stafit që menaxhoi kompaninë e fluturimit."
Në këtë kompani ishin të punësuar rreth 400 vetë. Ajo kishte 17 avionë që fluturonin në 25 destinacione europiane.
Flybmi transportoi rreth 500 mijë pasagjerë vitin e kaluar.
Mbyllja e saj do të ketë një ndikim të madh në qytetin e Irlandës së Veriut, Londonderry, që do të humbasë lidhjen e vetme ajrore me Londrën. (Albana)