Partneriteti publiko privat në ANP sipas planeve
Prishtinë, 12 qershor - Ministri i Financave Besim Beqaj ka vlerësuar se partneriteti publiko privat në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari në Prishtinë është duke u realizuar sipas planeve dhe se ka lëvizje të rëndësishme pozitive në funksionimin e aeroportit.
Duke vizituar terminalin e ri të ANP-së, ministri Beqaj së bashku me anëtarët tjerë të Komitetit të Partneritetit Publiko Privat ka vlerësuar se nga informatat që janë shqyrtuar në mbledhje shihet se numrat dhe aktivitetet ekonomike të aeroportit janë në rritje.
Dua të ju them që kemi një rritje të numrit të pasagjerëve dhe normalisht kjo po e faktorizon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë. Partneriteti po shkon sipas planeve. Në të njëjtën kohë është mbajtur edhe mbledhja e bordit nga ana e kompanisë e cila është fituese e kësaj marrëveshje të koncesionit.\"
\"Ne patëm rastin të takohemi edhe me znj. Ebru për të diskutua planet dhe përgatitjet. Vizituam edhe objektin e ri , i cili është objekt përtej përmasave të aeroporteve rajonale. Dua të them që ky aeroport do të jetë aeroporti më i mirë në rajon, tha ministri Beqaj.
Ai tha se edhe pse është menduar që aeroporti të jetë diku rreth 25 mijë metra katrorë, objektin i cili është në ndërtim tejkalon 40 mijë metra katrorë, që realisht do ta bëjë një aeroport që në kushte normale do të pranon mbi 3 milionë e gjysmë udhëtar, dhe në kushte të tjera mund të pranon edhe më shumë.
Prandaj, ne përgëzuam këto investime, por njëkohësisht presim që konform afateve kohore të dorëzohet aeroporti në funksion dhe që së shpejti qytetarët e Republikës së Kosovës do të ndihen krenar për një investim të tillë dhe Prishtina do të ketë Aeroportin më të mirë ndërkombëtar në rajon, tha ministri Beqaj.
Ai theksoi se planifikohet që e tërë kjo të përfundojë në vjeshtë dhe shprehu besimin që aeroporti do të filloj operimin në terminalin e ri konform afateve kohore, të cilat janë të parapara.
Ministri Beqaj tha se janë shumë inkurajuese funksionimi dhe menaxhimi, respektivisht trajtimi i punëtorëve.
Ju e dini që ka pasur shumë biseda rreth asaj që ka largime të punëtorëve apo ska largime të punëtorëve. Nga raporti i këtij kuartali ne mësuam sot që numri i punëtorëve jo që është zvogëluar por që po rritet realisht dhe kjo është një ndikim i drejtpërdrejtë në punësim por njëkohësisht krijimi e një infrastrukture moderne për vendim tonë, tha ministri Beqaj.
Komitetit për Partneritete Publiko Private përveç shqyrtimit te raportit për PPP në ANP sot ka shqyrtuar dhe ka aprovuar kërkesën e Komunës së Gjilanit për rregullimin e infrastrukturës së kompleksit të shkollave të mesme të Gjilanit, dhe Direktivës mbi mënyrën e Raportimit të Rregullt të Autoriteteve Publike tek KPPP.
Me qëllim të rritjes së transparencës dhe mundësimit të raportimit të rregullt të autoriteteve kontraktues mbi projektet PPP-së është shqyrtuar dhe miratuar direktiva nr. 5/2013 mbi Mënyrën e Raportimit të Rregullt të Autoriteteve Publike tek KPPP.