20 Prill 2025

Parkingjet publike vazhdojnë të mbesin problem për qytetin

Prishtinë, 18 shkurt - Në kuadër të projektit “Online Transparency”, EC Ma Ndryshe gjatë disa muajve ka ndjekur zhvillimet rreth projektit të shumë përfolur të parkingjeve publike, për fillimin e projektimit të së cilave, dhe me qëllim të zgjidhjes së ngarkesës së komunikacionit në qytetin e Prishtinës, Komuna e Prishtinës e kishte informuar opinionin qysh në gusht të vitit të kaluar.

Asokohe, komuna angazhoi ekspertë nga departamenti i komunikacionit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për të bërë inventarizimin e parkingjeve ekzistuese publike e private në zonën qendër të qytetit.

Me menaxhimin e këtyre vendparkingjeve pritet të merret kompania publike “Prishtina Parking”, për themelimin e së cilës ishte votuar në Mbledhjen e Kuvendit të Prishtinës, të mbajtur më 29 shtator 2014.

Krijimi i kësaj kompanie u kontestua nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, me arsyetimin se “vendimi mbi themelimin e Ndërmarrjes Publike ‘Prishtina Parking’, me seli në Prishtinë, nuk është në pajtim të plotë me nenin 6 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike si edhe me nenin 6.3 e 6.4 të Rregullores së Qeverisë mbi kriteret për krijimin e ndërmarrjeve publike lokale dhe pjesëmarrjen e komunave në Bordet e Drejtorëve të ndërmarrjeve rajonale.”

MAPL-ja, në arsyetimin e tyre drejtuar Komunës së Prishtinës, poashtu kishte theksuar se “duke u bazuar nën nenin 40 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Kuvendi i Komunës mund të nxjerrë vendim për inicimin e themelimit të Ndërmarrjes Publike komunale, duke e autorizuar kryetarin e Komunës për ndërmarrjen e veprimeve konkrete me qëllim të plotësimit të kritereve të përcaktuara me nenin 5 të Rregullores së Qeverisë, numër 2/2013 mbi kriteret për krijimin e Ndërmarrjeve Publike Lokale dhe Pjesëmarrjen e Komunave në Bordet e Drejtorëve të Ndërmarrjeve Rajonale të Ujit.”

Ndërsa, duke u bazuar në nenin 82 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kishte kërkuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë veprime konkretet për rishqyrtimin e vendimit, në afat prej 30 ditësh, pas pranimit të kërkesës. 

Në anën tjetër, sipas Dardan Sejdiut, përgjigjja e lartëpërmendur e autoriteteve të MAPL-së, të thirrur në nenin 40 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, nuk qëndron, meqë në atë nen bëhet fjalë për diçka tjetër.

Sejdiu pati përmendur edhe Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike, ku theksohet se komunat kanë të drejtë të krijojnë ndërmarrje publike lokale në pajtim me kriteret e përcaktuara me akt nënligjor të Qeverisë dhe se komuna i ka plotësuar të gjitha kushtet për themelimin e kësaj ndërmarrjeje.

Pas kësaj, Komuna e Prishtinës kishte në plan që kërkesën për themelimin e kompanisë t’ia drejtonte Ministrisë për Zhvillim Ekonomik. Ndërkohë që, në disa vende në qendër, nisi vizatimi i vijave të vendparkingjeve ekzistuese, por edhe ai proces nuk përfundoi.

EC Ma Ndyshe ka kërkuar nga zyra për informim nga Komuna e Prishtinës informata rreth asaj se se a është dërguar kjo kërkesë MZHE-së dhe se a ka marrë komuna ndonjë përgjigje nga kjo Ministri.

Poashtu, jemi interesuar të informohemi nëse kanë mbajtur diskutime publike me qytetarët në lidhje me parkingjet që do t\'i plotësojnë hapësirat rreth ndërtesave që ata i banojnë. Mirëpo, pavarësisht insistimit tonë, deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje lidhur me këto çështje.

Sa i përket fazës së projektimit të hapësirave të parkingjeve në qytet, EC Ma Ndryshe arriti të  kontaktonte zyrtarë nga drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që janë pjesë e këtij procesi. Ata na informuan se projekti i parkingjeve në qytetin e Prishtinës është në proces të hartimit nga ekspertë të trafikut, planifikimit dhe mjedisit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës.

Sipas tyre, faza projektuese për zonën qendër të qytetit tashmë ka përfunduar, realizimi ka filluar, por ende nuk ka përfunduar. Së shpejti pritet të nisë faza projektuese e zonës Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit. 

Në lidhje me diskutimet publike me banorët e lagjeve ku parkingjet e reja do të plotësojnë hapësirat e lira në mes të ndërtesave që ata i banojnë, sipas Drejtorisë së Urbanizmit, takimet me qytetarë planifikohet të organizohen në momentin kur projektet do të jenë të gatshme për diskutim, meqë duan që diskutimet t’i kenë të pasura me plane në dorë. 

Në pyetjen tonë nëse ka pasur alternativa të tjera për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Prishtinë, pos kësaj që tashmë po elaborohet, zyrtarët e DUNMM-së thanë se në këtë fazë në të cilën gjendet Prishtina, e cila deri me tani nuk ka pasur kurrëfarë strukture të parkingjeve, zgjidhja aktuale paraqet zgjidhjen më të mirë. Sipas tyre, ky është një fillim i mirë i krijimit të strukturës, e cila në të ardhmen do të mund të përmirësohet dhe pasurohet me zgjidhje të reja.

Bazuar edhe në hulumtimin e shkurtër rreth zaptimit të hapësirave publike që EC Ma Ndryshe kishte bërë gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, kishte rezultuar se krahas pengesave tjera, automjetet e parkuara në trotuare janë ndër pengesat më të shpeshta të lëvizjes së qytetarëve në rrugët qytetit të Prishtinës.

Për këtë arsye është më se e domosdoshme që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje e efektshme, për të evituar fillimisht ngarkesën e trafikut në qendër të qytetit dhe për t’i liruar trotuaret dhe sipërfaqet tjera të hapësirës publike për lëvizje të lirë të qytetarëve.

 Por, në anën tjetër shpresojmë që zgjidhjet e ofruara me projekt të komunës të mos kenë efekt të kundërt në hapësirën publike, duke krijuar pakënaqësi të banorët me ngushtimin e tejskajshëm të hapësirës rreth ndërtesave që i banojnë me dendjen e parkingjeve në secilin cep të tyre. Dhe një proces i tillë planifikimi dhe projektimi duhet të shoqërohet në secilën fazë me konsultim të ngushtë me banorët. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)