Panairi i parë i dronëve
Los Angelos, 15 dhjetor - U bë objekti i preferuar i shqiptarëve që kur fluturoi mbi stadiumin e Beogradit më 14 tetor të këtij, duke shpalosur banerin e famshëm patriotik.
Por shumë shpejt, droni mund të përdoret për tju sjellë porositë në shtëpi. Të paktën ky është synimi që i kanë vendosur vetes prodhuesit e mjetit fluturues më të famshëm të kohëve të fundit, në panairin e parë historik të zhvilluar në Los Angelos.
Pasi produkti i tyre është përdorur prej kohësh nga ushtria amerikane për të kryer sulme ndaj armiqve, pjesëtarët e Shoqatës së Mjeteve Fluturuese Autonome pa Pilot janë bërë bashkë për të stimuluar një përdorim më të gjerë të tij.
Sipas tyre droni është mjaft i përshtatshëm për të dërguar ilaçe dhe mjete të ndihmës së shpejtë në zona të thella, apo për të ofruar pamje ekskluzive të vendeve apo veprave të ndryshme arkitekturore.
Megjithatë, i gjithë procesi i ndërtimit dhe përdorimit të dronëve ka ngritur edhe shqetësimin e çështjeve të sigurisë dhe privatësisë Njerëzit janë mjaft të shqetësuar se mund të spiunohen me këto pajisje në oborrin e shtëpisë.
Edhe kompanitë kanë ngritur shqetësimin se droni mund të përdoret për spiunazh industrial, thtoë Liza Elman, avokatja e Long&Aldridge, një prej firmave më të mëdha të avokatisë në Los Anxheles.
Sipas saj, ligjet e vendit nuk kanë mbajtur ritmin e teknologjisë dhe u këshilloi ligjvënësve që të merrnin parasysh disa skenarë para se të përgatisin legjislacionin përkatës për këto mjete fluturues.
Megjithatë, pavarësisht mëdyshjeve apo pasigurive, pritet që deri në vitin 2025, dronët të jenë pjesë e një industrie 82 miliardë dollarëshe.