Ozdemir: Kosova është zemra e Evropës
Ankara, 21 dhjetor - Pronari i kompanisë Limak, Nihat Ozdemir, ka theksuar se pas fillimit të punës në ANP, do të fillojë menjëherë ndërtimi i terminalit të ri në Aeroportin Adem Jashari.
Pronari i kompanisë turke Limak, fituese për koncensionimin e Aeroportit Ndërkombëtare të Prishtinës, Nihat Ozdemir, në një intervistë për Epokën e Re, është shprehur shumë i kënaqur me punën që po bëhen për transferin e ANP--së, tek Limak.
Ai ka theksuar se përveç këtij investimi që do të jetë miliona euro, ata si kompani po planifikojnë që të shikojnë mundësi tjera për të investuar në Kosovë, si ne energji, çimento etj.
Nihat Ozdemir ka thënë se me 2 janar aeroporti do të transferohet, pra do të kaloj tek ne. Ndërtimi do të filloj menjëherë pas përfundimit të projekteve. Parashikoj që brenda 18 muajve do të përfundojmë terminalin e ri dhe besojmë se nuk do të ketë problem.
Sepse kur në janar e marrim në menaxhim aeroportin, duke menaxhuar aeroportin ekzistues, paralelisht do të fillojmë të ndërtojmë terminalin e ri. Ozdemir ka thënë se tani më kanë përfunduar negociatat për para dhe këto para i kemi siguruar nga bankat turke.
Pra, nuk ka kurrfarë problemi të financimit dhe nga janari do të fillojmë me siguri. Sipas tij Kosova është një vend i afërt me ne, me një të kaluar të përbashkët, njëherit shteti i Turqisë dhe qeveria e Turqisë në krye me kryeministrin Erdogan dhe kryetarin Gyl, i japin rëndësi Kosovës dhe i ftojnë afaristët turq të shkojnë të investojnë në Kosovë.
\"Ne Kosovën e vlerësojmë si zemrën e Evropës, Kosova është vërtet një shtet i ri, por brenda 5-10 vitesh do të jetë ndër vendet më të rëndësishme evropiane. Për këtë arsye, duke i vlerësuar të gjitha këto kemi vendosur të investojmë në Kosovë.\"
Ozdemir ka thënë se turizmi, çimento, prodhimi i energjisë, shpërndarja e energjisë, janë çështje shumë të rëndësishme dhe interesante për ne.
\"Ne si kompani Limak nuk operojmë vetëm në sektorin e aeroporteve, por edhe në sektorin e çimentos, prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë si dhe turizmit. Ne në Turqi kemi investime të mëdha në turizëm, andaj në Kosovë mendojmë të investojmë edhe në ndërtimin e hoteleve moderne. Ne në Turqi tash bëjmë prodhimin e hidro-energjisë dhe bëjmë shpërndarjen e saj. Në një të ardhme të afërt presim të prodhojmë edhe energji nga gazi e linjiti.\"
Këto përvoja duam t\'i bartim në Kosovë ku shohim një të ardhme të mirë në këtë sektor.
Gazeta e EPOKA E RE