OSHP konfirmon kontratën për Limak-Aeroports de Lyon
Prishtinë, 10 qershor - Organi Shqyrtues i Prokurimit ka njoftuar dje Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave se kanë hedhur poshtë ankesën e parashtruar nga Pristina Airport International Consortium (PAIC) në lidhje me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Parashtruesi i ankesës, PAIC, u diskualifikua nga Komiteti i Vlerësimit i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendor pasi që e ka kushtëzuar propozimin e saj me ndryshime të papranueshme të Kontratës së PPP-së. PAIC ka paraqitur ankesën në OSHP duke kërkuar që të rikthehet si ofrues në vendin e tretë dhe/ose të anuloj procesin e tenderit.
OShP ka konfirmuar dhënien e kontratës konsorciumit Limak-Lyon, i përbërë nga operator francez të aeroportit, Aéroports de Lyon dhe kompania turke e ndërtimit, Limak Construction, të cilët i kishin ofruar të paguajnë përqindjen më të lartë të të ardhurave bruto për Qeverinë në këmbim të koncesionit.
OSHP-ja e ka hedhur poshtë këtë ankesë si tërësisht të pa bazë, duke konfirmuar ligjshmërinë, transparencën dhe efikasitetin e procesit të prokurimit. Vendimi nga OSHP-ja nuk mund të apelohet.
Paneli i shqyrtues gjithashtu ka vërtetuar se Komisioni i Vlerësimit të ofertave ka qenë i drejtë në marrjen e vendimit për diskualifikim të PAIC, sepse nuk kanë arritur të përmbushin kërkesat e përcaktuara në Kërkesë për Propozime.
Procesi i prokurimit që shpie drejt dhënies së kësaj kontrate është lavdëruar ndërkombëtarisht dhe vendimi i lëshuar dje nga OShP-ja është parë si konfirmim i mëtejshëm i transparencës dhe profesionalizmit me të cilin ky proces është menaxhuar.
Ky është realizimi i parë i suksesshëm i Kosovës për të tërhequr investime strategjike afat-gjatë në infrastrukturë dhe shërbime publike, procesi është kumtuar kudo në botë si një arritje e madhe dhe një votë besimi për Qeverinë e vendit dhe respektim të sistemit ligjor. Ky proces është parë gjithashtu si miratim kryesor i përpjekjeve të vendit për të krijuar një program multi-sektorial të partneritetit publiko privat.
Konsorciumit Limak-Lion i është dhënë kontrata më 14 maj pasi që i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42% të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për koncesion. Fraport IC ICTAS, ofertuesi i renditur në vendin e dytë, ka propozuar një mesatare prej 30,37% të të ardhurave bruto.
Prej Konsorciumit Limak-Lion do të kërkohet që të bëjë investime për të modernizuar dhe zgjeruar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke investuar mbi 100.000.000 në infrastrukturë të re, përfshirë edhe ndërtimin e një terminali të ri. Gjithashtu nga koncesioneri kërkohet të operoj me Aeroportin duke ofruar shërbime të zgjeruara në nivel të cilësisë së lartë. Republika e Kosovës do të mbajë 100% të pronësisë së pasurive të Aeroportit.
Ofertuesi i përzgjedhur, Limak-Lion dhe Qeveria e Kosovës, duhet të përmbushim disa kushte para se kontrata e PPP-së të hyjë në fuqi. Disa nga këto kushte përfshijnë transferimin e punonjësve të ANP-së tek operatori i ri, miratimin e dizajnëve për terminalin e aeroportit, dhe përmbylljen financiare. Kontrata PPP-së pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit 2010.