Operatori i tretë mobil rrit konkurrencën
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 6 prill - Ditë më parë Bordi i Autoriteti Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) kishte paralajmëruar mundësinë e hapjes së garës për telefoninë e tretë mobile dhe brezin e ri frekuencor në Kosovë.
Lidhur me atë nëse duhet apo jo të kemi operator të tretë mobil në tregun e Kosovës, ka mendime të ndryshme nga njohës të çështjeve ekonomike.
Syla: Operatori i tretë, lajm i mirë
Njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, i kontaktuar nga gazeta Epoka e re, mundësinë e hapjes së tenderit të tretë operativ e ka cilësuar lajm të mirë pasi, sipas tij, fusha e telekomunikimeve mund të sjellë investitorë të rinj. Hapja e tenderit për operator të tretë mobil në Kosovës do të ishte një lajm i mirë për investime në fushën e telekomunikacionit, ka thënë ai.
Sipas tij, pavarësisht rënies së fitimeve eventuale, fusha e telefonisë gjithmonë do të jetë atraktive për investitorë. Këto kompani arrijnë më së lehti tu përshtaten ndryshimeve të tregut në fushën e teknologjisë informative, ka thënë Syla, duke shtuar se hyrja e një operatorit të ri do ta rriste konkurrueshmërinë në mes të kompanive të tjera.
Syla ka thënë se e tëra kjo për të funksionuar mirë duhet që bordi përkatës të ketë mbikëqyrje më të rreptë e të mos lejojë oligopole dhe shkelje të drejtave të konsumatorëve. Të gjithë e dimë se ka pasur shumë shkelje dhe skandale në këtë sektor, është shprehur Syla.
Haxha: Kosova ka nevojë shumë të madhe për operatorin e tretë mobil
Ndërsa ish-drejtori ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha, ka thënë se Kosova ka nevojë shumë të madhe për operatorin e tretë mobil. Po, Kosova ka nevojë shumë të madhe për operatorin e tretë, sepse rrethanat dallojnë nga çdo vend tjetër në botë rreth tregut të telekomit.
Ky operator i tretë do të ndikojë pozitivisht në rregullimin e tregut të telekomit dhe do ti sjellë të hyra buxhetit të vendit. Operatori i tretë duhet ta plotësojë zbrazëtirën e tregut, e cila është okupuar në mënyrë ilegale nga operatorë të palicencuar dhe mungesën e shërbimeve të ofruara nga operatorët e licencuar në Kosovë, ka theksuar Haxha për gazetën Epokën e re.
Ai ka thënë se ky operator i tretë duhet ta marrë tregun e humbur që i ka shkaktuar dëme me qindra milionë euro buxhetit të Kosovës dhe të ofrojë shërbime cilësore, të sigurta dhe të favorshme. ARKEP-ja, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të kenë kujdes mos të lejojnë operatorë që dëmtojnë interesin dhe sigurinë shtetërore të vendit.
Me hyrjen e operatorit të tretë do të rritet konkurrenca dhe natyrisht në një treg të lirë dhe konkurrent është normale të avancohen operatorët që ofrojnë shërbime më të favorshme si në aspektin financiar, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe të avancuara, ka thënë Haxha.
Rexhepi: Kosova, treg i vogël
Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, ka deklaruar për gazetën Epoka e re se tregu i Kosovës është i vogël dhe ka dyshime nëse operatori i tretë mund të arrijë shtrirje sa kanë Vala apo IPKO. Sipas tij, përvoja nga disa vende të rajonit tregon se operatori i tretë më shumë ka qenë balancues në treg e jo aq i fuqishëm sa tua prishë lojën dy operatorëve të tjerë.
Është e vërtetë se operatorët e telefonisë mobile kanë rënie të të hyrave. Kjo nuk po ndodh për shkak të rënies së tregut, por për shkak të futjes së teknologjive të reja të komunikimit pa pagesë, apo me kosto të lirë. Këtë po e përjetojnë edhe operatorët në Kosovë, është shprehur Rexhepi, përderisa ka shtuar se këtë rënie operatorët mund ta kompensojnë duke ofruar shërbime të reja.
Ditë më parë drejtori menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa, pati thënë se VALA nuk ndjehet e rrezikuar nga askush dhe se koncepti i tij është të shikohet përtej konkurrencës. Mendoj se autoritet qeveritare të vendit duhet të vijnë me vendim, se a duhet të ketë një operator të tretë apo nuk duhet të ketë, kishte deklaruar Mustafa. Sipas tij, një vendim i tillë nuk mund të merret aty për aty. Mendoj se ka qenë një interpretim i medieve se do të ketë një operator të ri. Çështja e hapjes së tenderit për një operator të ri është proces pak më i komplikuar, i cili duhet të bazohet në hulumtimin paraprak, kishte thënë Mustafa.