OEK dhe BKS angazhohen për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër
Prishtinë, 3 shtator - Në kuadër të angazhimeve të veta permanente për përfaqësim sa me të fuqishëm të interesave të komunitetit të biznesit, Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu së bashku me bashkëpunëtorë u takua me Faton Abazi, Drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) dhe udhëheqjen e ngushtë të këtij institucioni.
Në këtë takim miqësor temë dominuese ishte mundësia e angazhimeve të përbashkëta për ndërkombëtarizimin e ekonomisë së vendit, sidomos përmes aktiviteteve të përbashkëta lobuese për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
Me gjithë angazhimin e fuqishëm dhe impresiv të udhëheqjes se Byrosë Kosovare të Sigurimeve për sigurimin e Kartonit të Gjelbër për territorin e Kosovës, ende mbetet shqetësues fakti që qytetarët dhe bizneset e vendit tonë janë të privuar nga e drejta themelore për lëvizje të lirë në të gjitha vendet, si rezultat i pengesave të shumta administrative me konotacion politik, sic është mungesa e pajisjes me Karton të Gjelbër.
Udhëheqësit e dy institucioneve u pajtuan që duhet të shtohen përpjekjet e përbashkëta që kjo çështje të zgjidhet dhe në të njëjtën kohë të promovohen edhe me shumë aktivitetet e shumta të dy institucioneve në përkrahje të zhvillimit ekonomik të vendit.