OEAK kërkon ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vite
Prishtinë, 29 qershor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) shpreh shqetësimet e saja më serioze në lidhje me iniciativën e ndërmarrë nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik për ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-132 mbi Automjetet për të lejuar importimin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vite.
"Duke marrë në konsideratë faktin alarmant të moshës mesatare të automjeteve të regjistruara në Kosovë e cila është më e lartë se 18 vjeçare, Oda Amerikane u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e aprovovojnë ndryshimin e Nenit 44 të Ligjit Nr. 05/L-132 mbi Automjetet i cili parashikon ndalimin e importit të automjeteve të cilat janë më të vjetra se 10 vjet."
"Çdo ndikim pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë në buxhetin e Kosovës do të mbipeshohej nga efektet e dëmshme që do t’i shkaktoheshin mjedisit, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve", thekson OEAK.
Oda Amerikane përkrah standardet dhe iniciativat e Komisionit Evropian për të përmirësuar emetimet e gazrave të cilat vijnë si rezultat i automjeteve të lehta dhe të rënda.
"Për më tepër, ne besojmë fuqishëm se ndryshimi i Ligjit nr. 05/L-132 do të rriste nivelet e ndotjes të cilat edhe ashtu raportohen më të larta dhe në periudha të caktuara të vitit, si ajo e dimrit të vitit 2017, krijojnë shqetësime për qytetarët."
"Nuk ka dyshim se një veprim i tillë do të ndikonte negativisht në mjedis dhe do të kishte implikime të mëdha shëndetësore", pohon OEAK.
Të dhënat e Bashkimit Evropian tregojnë se më shumë se 70.000 vdekje u atribuohen lirimit të nivelit të lartë të dioksidit të azotit (NO2) nga makinat e vjetra me naftë.
Për shkak të pasojave të mëdha në mjedis dhe në shëndetësi, Gjermania në përgjithësi ka hapur derën për grupet mjedisore për të paditur qytetet të cilat nuk i plotësojnë standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian në lidhje me ajrin e pastër; duke rezultuar që Hamburgu të bëhet qyteti i parë gjerman për të ndaluar automjetet e vjetra me naftë.
Ndërsa edhe kryeqyteti i Francës, Parisi ka ndaluar automjetet të cilat janë regjistruar para vitit 2000, me qëllim kryesor për të luftuar ndotjen e ajrit në qytet.
Për më tepër, Oda Amerikane, beson se joefikasiteti i automjeteve të vjetra i minimizon përfitimet afatshkurtra që mund të gjenerohen nga importi i këtyre veturave.
Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh besimin e saj të fuqishëm se importi i makinave më të vjetra se dhjetë vite do të ndikojë negativisht në mjedis dhe ka implikime të rënda shëndetësore, e rrjedhimisht u kërkon institucioneve përkatëse që të ndërmarin një qasje më gjithëpërfshirëse duke marrë parasysh ndikimet mjedisore dhe shëndetësore të kësaj politike si dhe praktikat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.