Nuredin Krasniqi u.d i drejtorit të PTK-së
Prishtinë, 13 dhjetor - Bordi i PTK-së e ka falenderuar kryeshefin e deritashëm, Shyqyri Haxha, për \"përdorimin e dijes dhe përgatitjes së tij akademike në shërbim të gjithë kombit.
Bordi i Drejtorëve i PTK-së, në një mbledhje mbajtur sot, ka vendosur që për ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv të caktojë drejtorin e deritanishëm të Financave në këtë kompani publike, Nuredin Krasniqi.
\"Në mbledhje gjithashtu është vlerësuar se puna e përbashkët trevjeçare e Bordit dhe kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, ka rezultuar me ngritje të performancës financiare të korporatës që ka rezultuar me një kontribut më të madh në ekonominë e vendit\", thuhet në një komunikatë shtypi, të lëshuar pas takimit.
Bordi ka falënderuar kryeshefin e deritashëm ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxhën për bashkëpunimin e treguar dhe kompetencë të lartë të treguar gjatë kësaj periudhe dhe rezultatet e arritura në kompani duke i dëshiruar atij dhe familjes së tij suksese në të ardhmen dhe përdorimin të dijes dhe përgatitjes së tij akademike në shërbim të gjithë kombit.