Nuk ka të interesuar për blerjen e Montenegro Airlines
Podgoricë, 20 dhjetor - Për kompaninë ajrore malazeze Montenegro Airlinesn MA, në botë nuk ka blerës të interesuar.
Në tenderin për blerjen e 30 për qind të aksioneve në afatin e paraparë nuk është dorëzuar asnjë ofertë, ndonëse katër kompani e kanë ngritur dokumentacionin e tenderit.
Tenderi për shitjen e 30 për qind të aksioneve të MA ishte shpallur nga fundi i shtatorit, nën kushte të cilat blerësit i mundësojnë të ketë ndikim vendimtar mbi performanset e sistemit dhe marrjen e vendimeve në punën e kësaj kompanie malazeze.
Sipas marrëveshjes, blerësi potencial, dy vjet pas marrjes së 30 për qind të aksioneve dhe përmbushjes së obligimeve investuese dhe të tjera, përfiton të drejtën për të blerë aksione në kompani të cilat janë në pronësi shtetërore dhe në këtë mënyrë të bëhet pronar dominant.
Në Marrëveshjen është parashikuar mundësia për partneritet publik-privat me kompaninë publike Aerodromi në Mal të Zi për marrëveshje afatgjate për bashkëpunim afarist-teknik.
Nga Komisioni i tenderëve me kumtesë informuan se dokumentacionin e tenderit e kanë ngritur kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe Qipro, porse ata nuk kanë dorëzuar oferta konkrete.