27 Dhjetor 2024

Normalizohet situata në rrugët e Komunës së Mitrovicës

Mitrovicë, 30 dhjetor - Shtabi i Emergjencës në Komunën e Mitrovicës ka mbajtur në mëngjes takimin e radhës, drejtuar nga nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, me ç’rast ka vlerësuar se situata e përgjithshme nëpër rrugët e komunës, është më mirë se që ishte një ditë më parë.

Anëtarët e Shtabit të Emergjencës, të cilët gjatë tërë natës ishin të ndarë nëpër ekipe, për të realizuar detyrat që kishin marrë, duke raportuar në takim konstatuan se detyrat janë kryer me sukses, falë angazhimit dhe mobilizimit të të gjithë punëtorëve të katër kompanive që ishin angazhuar për normalizimin e gjendjes nëpër rrugës e komunës.

Në takim u konstatua se në mëngjesin e ditës së martë (sot), të gjitha rrugët kryesore, si ato lokale ashtu edhe ato rajonale janë të kalueshme dhe pa vështirësi të mëdha. Ndërsa, sa u përket rrugëve të tjera dytësore nëpër lagje të qytetit dhe fshatra, u tha se do të punohet sot gjatë tërë ditës për pastrimin e tyre dhe për t’i bërë edhe ato lehtë të kalueshme.

Shtabi i Emergjencës edhe në takimin e sotëm vlerësoi se kompania e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës magjistrale Mitrovicë-Podujevë, që  e përshkon Shalën e Bajgorës, ka dështuar në mirëmbajtjen e kësaj rruge, pasi që ka bërë fare pak punë në këtë drejtim.

Kjo rrugë është pastruar dhe bërë e kalueshme vetëm falë angazhimit të kompanive të kontraktuara nga komuna, andaj u kërkua nga Ministria e Infrastrukturës që të ndërmerr masa konkrete për mirëmbajtjen e rrugës, meqë është përgjegjësi e saj.

Po ashtu, në takimin e mëngjesit të Shtabit të Emergjencës, detyra konkrete iu dhanë edhe Drejtorisë së Inspekcionit, me qëllim të angazhimit të inspektorëve në terren, për të detyruar pronarët e dyqaneve dhe objekteve të tjera, që të pastrojnë hapësirat para objekteve të tyre, në mënyrë që qytetarët të lëvizin pa pengesa.

Shtabi i Emergjencës konstatoi se gjatë gjithë natës ekipet e QKMF-së kanë qenë në gjendje gatishmërie për të ofruar shërbimet e tyre shëndetësore, nëse kjo kërkohet nga qytetarët, por fatmirësisht nuk ka pas nevojë për intervenim. Këto ekipe vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie përderisa situata të stabilizohet plotësisht.

Edhe sa i përket furnizimit të qytetarëve në të gjitha zonat e komunës, Shtabi i Emergjencës vlerësoi se nuk ka pas probleme dhe se janë marrë të gjitha masat që në të gjitha situatat furnizimi i qytetarëve me artikuj ushqimorë dhe të tjerë të jetë i mundshëm. 

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)