Një hap më afër liberalizimit të tarifave të sigurimit
Prishtinë, 19 shkurt - Një hap më afër liberalizimit të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë ishte tema e workshopit e organizuar nga BQK-ja në bashkëpunim me Bankën Botërore, që ka tubuar në Prishtinë ekspertë me renome botërore të fushës së sigurimeve.
Të pranishëm në këtë workshop ishin zyrtarët e BQK-së, përfaqësues nga Banka Boterore, Turqia, Italia, Britania e Madhe, zyrtarët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nga Shqipëria, përfaqësues nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës dhe nga Kompanitë e Sigurimeve që veprojnë në Kosovë.
Fillimisht pjesëmarrësve mirëseardhje u ka uruar guvernatori i BQK-së Hashim Rexhepi, i cili në vijim të fjalës së tij është ndalur tek rëndësia e këtij workshopi. Guvernatori në një rezyme të tij ka potencuar po ashtu edhe për sfidat dhe të arriturat që kanë përcjellë industrinë e sigurimeve ndër vite.
Guvernatori Rexhepi po ashtu përmendi edhe hapat e parë që janë marrë nga BQK-ja në bashkëpunim me industrinë e sigurimeve për liberalizimin e kontrolluar të produktit TPL dhe po ashtu potencoi rëndësinë e këtij procesi që ka gjetur zbatim në industrinë e sigurimeve që nga aplikimi i tij e deri më sot.
Ai ka njoftuar pjesëmarrësit se liberalizimi nënkupton transparencën e plotë të aktiviteteve siguruese, ngritjen e fuqisë financiare, profilizim dhe selektimin e rrezikut bazuar në objektivat e një kompanie.
Rexhepi ka përcjellë mesazhin tek përfaqësuesit e industrisë se duhet të jenë gati për sfidat që i presin gjatë futjes së plotë të tyre në procesin e liberalizimit. Ai ka porositur që kompanitë e sigurimeve duhet të investojnë në ngritjen e kapaciteteve me theks të veçantë për investimin në shkollimin e aktuarëve.
Po ashtu Guvernatori përcjelli në mesazhin e tij edhe të rejat e fundit që kanë të bëjnë me bazën themelore për kalimin e industrisë në liberalizim të MTPL-së, që i parasheh korniza e re ligjore.
Më këtë rast ai u shpreh se draft ligji për sigurimet e detyrueshme parasheh që industria e sigurimit të kaloi në liberalizim dhe kërkoi nga kompanitë e sigurimeve që të jenë të përgatitura për këtë sfidë që i pret.
Në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve znj. Elizabeta Gjoni ndër të tjera ka cekur se temat e debatit të sotëm janë vazhdimësi e debatit të zhvilluar më herët në Tiranë dhe potencoi se:
Po përballemi me problemet e përbashkëta dhe po ashtu ndodhemi si treg i përafërt i njëjtë edhe si rregullator përballë sfidave të njëjta që na presin , përballë sfidave që përcjellë liberalizimi në përgjithësi.
Gjatë këtij workshopi kanë prezantuar edhe ekspertët e fushës së sigurimeve. Fillimisht me një prezantim që zgjoi interesimin e pjesëmarrësve është paraqitur znj.Serap Gonulal specialiste e sektorit financiar të Bankës Botërore e cila shtjelloi temën Rëndësia e konkurrencës , përparësitë dhe dobësitë.
Po ashtu znj.Gonulal ka prezantuar edhe temën Rregullimi i siguruesve - licencimi, aftësia paguese, trajtimi i drejtë i klientëve.
Ndërkaq me praktikat e tyre janë paraqitur edhe ekspertë tjerë pjesëmarrës, si Sergio Desantis, kryesues i statistikave dhe i studimeve aktuariale ANIA (Shoqata e Sigurimeve të Italisë me temën Liberalizimi i MTPL-së në praktikë ( rasti i Italisë).
Desantis në vijim të këtij sesioni ka prezantuar edhe me temën Kalkulimi i primeve dhe rezervave ; z.Murat Disci ,zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kompanisë së Sigurimeve ERGO dhe zëvendëskryetar i qendrës së bazës së të dhënave të sigurimeve MTPL me temën Liberalizimi i MTPL-së në praktikë (rasti i Turqisë); z. Nick Goulder drejtor i aksidenteve ndërkombëtare Willis Re, prezantoi temat Harta rrugore drejt liberalizimitdhe Risigurimet.
Pjesëmarrësit e kanë vlerësuar lartë workshopin me shpresë që bashkëpunimi i ndërsjellë rajonal të vazhdojë edhe më tej si dhe u potencua se takimet e tilla janë në dobi të gjithë industrisë së sigurimeve në Kosovë pa dallim. Ky workshop ishte fillimi i serive të workshopeve që do të mbahen me industrinë dhe përkrahjen e Bankës Botërore në mënyrë që të gjithë akterët të jenë të përgatitur sa më shumë për rrugën e liberalizimit.