Nisin punimet në unazën e jashtme në Ferizaj
Ferizaj, 24 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në nisjen e punimeve të rrugës në Prelez të Jerlive, në Ferizaj.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se për Komunën e Ferizajt edhe për Kosovën është me rëndësi themelore që ti shtendosim qytetet e mëdha nga komunikacioni.
Ferizaj është zhvilluar shumë dhe është një ndërmarrje shumë e madhe që të krijohet kjo unazë, në mënyrë që të parandalohet ngarkesa e madhe në qytet dhe të mundësohet që qyteti të jetojë i lirë, ndërkaq edhe transporti të zhvillohet në mënyrë normale, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Mustafa, gjatë fillimit të punimeve të kësaj rruge, tha se do të bëhen përpjekje që edhe tek qytetet e tjera të aplikohet ky model, në mënyrë që të lirohen nga komunikacioni i tepërt.
Mendoj se është një punë me interes për qytetarët, e cila tregon një shenjë të zhvillimit tonë të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik, sepse vetë fakti që ne po i hyjmë zgjerimit të arterieve ekzistuese dhe ndërtimit të rrugëve të reja, flet se ne kemi arritur në një situatë kur këtë mund ta përballojmë dhe është një shenjë e një zhvillimi më të lartë të Kosovës, tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me këtë rast, tha se është ndër projektet më të rëndësishme, të investuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës në kohët e fundit.
Duke falënderuar kryeministrin Mustafa dhe Qeverinë e Kosovës për përkujdesjen ndaj qytetarëve dhe komunës së Ferizajt, kryetari Svarqa tha se po tregohet një përkujdesje dhe vëmendje, që bizneseve të Ferizajt tju krijohet një lidhje alternative për shkak se bizneset e Ferizajt tashmë po ndikojnë fuqimisht edhe në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.