Nisin punimet në rrethrrotullimin në rrugën Prishtinë - Lipjan
Prishtinë, 8 prill - Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, inspektuan punimet në aslfaltimin e rrugës Gadime e Epërme - Smallushë - Sllovi dhe përuruan fillimin e punimeve për ndërtimin e rrethrrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë - Lipjan (te burgu).
Në fjalën e tij ministri Zharku ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të zbatojë Memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në mes MI dhe Komunës së Lipjanit për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në këtë komunë, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti.
Po ashtu, ministri Zharku foli edhe për projektet e tjera të rëndësishme për komunën e Lipjanit, si për rrugën e cila do të lidhë qytetin e Lipjanit me magjistralen Prishtinë-Shkup dhe rikonstruimin e rrugës në Gadime, si dhe disa projekte të tjera.
Ndërsa kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e këtyre projekteve infrastrukturore për komunën e Lipjanit, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin më të madh të kësaj komune.
Projekti për aslfaltimin e rrugës Gadime e Epërme Smallushë Sllovi është financuar nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë 439,916.54 euro dhe ka një gjatësi prej 5026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.
Po ashtu, projekti tjetër i ndërtimit të rrethrrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë Lipjan (te burgu) është financuar nga MI në vlerë 242,310.27 euro.
Investimet e bëra nga MI në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Lipjan do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj pjese dhe po ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen më të mirë të njerëve dhe mallrave.