Nisin kërkimet nënujore për avionin e zhdukur
Canberra, 15 prill - Pas një muaj kërkimi në sipërfaqe në jug të Oqeanit Indian, përpjekjet ndërkombëtare për gjetjen e avionit të zhdukur të "Malaysia Airlines" po fokusohen në thellësi.
Për herë të parë, një nëndetëse robot do të nisë kërkimet dhe do të përshkojë një rrugë prej 4.5 kilometrash, që pritet të zgjasë për 2 orë.
Mjeti nënujor i quajtur "Bluefin-21" do të ndihmojë për të krijuar një hartë tre-dimensionale të pjesës së përcaktuar në oqean.
Megjithëse në 10 ditët e fundit janë kapur disa sinjale, asnjë sinjal i ri nuk është kapur që prej të martës, duke rritur frikën se bateritë mund të kenë skaduar.
Koordinatori Angus Houston tha se për kërkimin e mbetjeve të avionit do të përdoret një mjet nënujor i quajtur Bluefin-21, i cili do të ndihmojë për të krijuar një hartë tre-dimensionale të asaj pjese të oqeanit.
Mjetit të nënujshëm do t'i duhen dy orë për të arritur në fund të oqeanit, ku do të punojë 16 orë rresht para se të kthehet në sipërfaqe. Pas kësaj, do të duhen katër orë të tjera për të analizuar të dhënat e mbledhura.
Zyrtarët thonë se njolla e karburantit u zbulua dje nga anija e marinës australiane, Ocean Shield, dhe një mostër dy litërshe po dërgohej në breg për analiza.