Nisin hetimet lidhur me ndihmën që Qeveria i ka dhënë Aeroportit të Prishtinës
Prishtinë, 30 prill - Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) në takimin e rregullt të 4-të për sivjet, të mbajtur më datë 30.04.2021, ka marrë vendim për inicimin e procedurës formale hetimore konform nenit 16 (6) të Ligjit të Ndihmës Shtetërore 05/L-100 (LNSH) në lidhje me ndihmën që Qeveria e Kosovës (e përfaqësuar përmes Komitetit të Partneritetit Publiko Privat) ka dhënë për operatorin privat të ANP Adem Jashari, në Qershor 2020.
Vendimi për fillimin e procedurës formale hetimore Nr. 03/2021 është marrë për të vërtetuar pretendimet se ndihma që ka dhënë Komiteti i Partneritetit Publiko Privat i udhëhequr nga Ministria e Financave, është ndihmë e keqpërdorur pasi që e njëjta është shfrytëzuar nga përfituesi i ndihmës shtetërore (LKIA) në kundërshtim me autorizimin e Komisionit sipas vendimit Nr. 18/2020.
Në kontekstin e ndihmës shtetërore të lidhur me COVID/19, dhe për të adresuar cështjet me likuiditetin, Qeveria e Kosovës hoqi dorë përkohësisht nga e drejta e saj për të inkasuar një të hyrë sic është tarifa vjetore koncesionare që operatori privat i ANP, sipas marrëveshjes, do të duhej ta paguante për Qeverinë.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore në dhjetorin e vitit 2020 duke shqyrtuar këtë rast ex post dhe me qëllim që të njëjtin ta bënte të përputhshëm me rregullat e ndihmës shtetërore - e autorizojë me disa kushte që duhej të plotësoheshin brenda një periudhe të caktuar 3 mujore, nga ana e dhënësit dhe përfituesit të ndihmës.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se kushtet e vendosura në kuadër të vendimit nuk kanë filluar të zbatohen ende, rrjedhimisht përmes vendimit të sotëm konform dispozitave ligjore të lidhura me revokimin e ndihmës, fton dhënësin, përfituesin e ndihmës dhe të gjithë akterët e tjerë, të dorëzojnë informata në lidhje me këtë pretendim brenda 30 dite pune, nga dita e këtij vendimi.
Po ashtu në këtë mbledhje, Komisioni i Ndihmës Shtetërore duke u bazuar në kompetencat që burojnë nga Ligji i Ndihmës Shtetërore neni 16 (6) dhe Rregullores për Funksionimin dhe Organizimin e punës së KNSH NR. 01/2019 ka marrë vendim për caktimin e normës bazë të interesit për skontim si dhe për kthim të ndihmës nga përfituesi në rastet kur Komisioni gjënë se ndihma nuk është në përputhshmëri me rregullat e ndihmës shtetërore, dhe/ apo është keqpërdorur.
Këtë vendim KNSH e mori në takimin e 4të të rregullt të tij. Kjo normë interesi do të aplikohet në rastet kur Komisioni obligon dhënësin e ndihmës ta revokojë atë nga përfituesi i cili si shtesë nga kthimi i saj do të paguajë edhe këtë interes.
Komisioni vendosi që deri në janar 2022 të marrë për bazë normën mesatare të peshuar të interesit të portofolit të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës me maturitet deri në 3 vite, ndërsa llogaritja e saj do të bëhet në bazë të procedurave të përcaktuara me Rregulloren për procedurat dhe njoftimin e ndihmës Nr. 19/2018.
Kjo normë bazë e interesit do të përditësohet në baza vjetore përmes vendimeve që nxjerrë KNSH.
Vendimi i qasshëm në faqen zyrtare të KNSH me nr. 02/2021.
Ndërkohë, me kërkesën e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Komisioni i Ndihmës Shtetërore kishte filluar një hetim në vitin 2020, rreth ndihmës që kishte dhënë Qeveria e Kosovës (2015) për prodhuesin e energjisë në Kosovë – KEK - në formën e kredive me normë të subvencionuar të interesit. Sekretariati në kërkesën e tij pretendonte se ndihma e dhënë përbënte ndihmë shtetërore dhe kërkonte nga autoritetet vendore të hetonin përputhshmërinë e dhënies së kësaj ndihme me rregullat e ndihmës shtetërore.
Komisioni në përgjigje të kësaj kërkese ka hetuar masën në fjalë dhe fillimisht ka konstatuar se masa e ndihmës përbën ndihmë shtetërore në kuptimin e Ligjit të Ndihmës Shtetërore ndërsa përgjatë po të njëjtit hetim ka konstatuar se rasti ka të bëjë me ndihmë individuale/ad hoc (sipas përkufizimit të ligjit) duke qenë se nga kjo masë përfitonte një ndërmarrje e vetme – KEK (prandaj ka përjashtuar që kjo të jetë një skemë e ndihmës).
KEK përfitoi nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave në vitin 2015 përmes masës me titull “Marrëveshja për Konsolidim të Kredive për Investime Kapitale në Minierën e Re të Sibocit Jugperëndimor dhe Marrëveshja për Konsolidimin e Kredive për investimet në Termocentralin e KEK-ut”.
Përmes kësaj u riprogramuan gjashtë kreditë ekzistuese për KEK (nga viti 2008-2010) si dhe Qeveria fali interesin dhe kamatë-vonesat e akumuluara në këto hua të cilat ndërmarrja kishte vështirësi financiare për t’i kthyer në kohë. KEK në këtë rast dhe përmes kësaj marrëveshje kishte përfituar në vlerë prej 38 milionë euro.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore bazuar në Ligjin e Ndihmës Shtetërore (2017) vëren se Komisionit i kërkohet të urdhërojë përshtatje (aty ku aplikohet) të gjitha skemave të ndihmës shtetërore që kanë hyrë në fuqi para fillimit të zbatimit të këtij ligji, dhe përmes nenit 19 është lënë jashtë këtij obligimi ligjor shqyrtimi i përputhshmërisë me rregullat e ndihmës shtetërore i ndihmës së dhënë individuale (para 2017) - sic është rasti me ndihmën dhënë KEK. Me fjalë të tjera, Komisioni ka vërejtur se ndihma individuale e dhënë para vitit 2017 është jashtë fushëveprimit të ligjit rrjedhimisht nuk ka mandat të marrë vendim për përputhshmërinë në lidhje me të.
Autoritetet e ndihmës shtetërore në Kosovë janë të parat në rajon që ndërmorren një hetim të kërkur nga një palë sic është rasti me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, pasi ky i fundit të njëjtën kërkesë ka pasur edhe për palët tjera kontraktuese (fqinjët tanë që kanë dhënë ndihmë të ngjashme në vite), por që ende nuk kanë inicuar dhe ose përfunduar hetime të ngjashme.
Vendimi i plotë i KNSH në lidhje me këtë rast do të jetë i qasshëm në ditët në vijim me nr. 04/2021.