23 Dhjetor 2024

Nis zhbllokimi i rrugëve të fshatrave në Shalë të Bajgorës

Mitrovicë, 8 shkurt - Pas angazhimit të katër kompanive të kontraktuara nga Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike dhe ajo për Mbrojtje dhe Shpëtim, ka nisur zhbllokimi i rrugëve malore të Shalës që kanë qenë të bllokuara nga bora. Në ndërkohë zyrtarët komunalë sqarojnë se janë zhbllokuar lagjet e veriut të qytetit.

Rasim Veseli, drejtor për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, tha se kompanitë janë duke punuar vazhdimisht në mënyrë që sa më parë të zhbllokohen të gjitha rrugët. Tha se problem është duke paraqitur era e vazhdueshme, e cila mbyll rrugët për një kohë të shpejtë pas pastrimit të tyre.

Theksoi është duke u bërë krejt çka është e mundur që sa më parë të normalizohet gjendja. “Jemi vazhdimisht në terren dhe në bazë të ritmit besojmë se shpjet shumica e rrugëve do të jenë të kalueshme”.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se problem ka sjellë edhe mosndërhyrja me kohë e kompanisë së kontaktuar nga Ministria e Infrastrukturës për pastrimin e rrugës magjistrale Mitrovicë-Podujevë. “Në atë rrugë nuk është ndërhyrë fare prej të hënës dhe deri me sot pjesa më e madhe e saj ka qenë e pakalueshme”.

Tha se punëtorët e asaj kompanie kanë sqaruar se kanë pasur probleme teknike dhe nuk kanë mundur të punojnë. “Të mërkurën janë parë në terren punëtorët e kësaj kompanie dhe shpresojmë që sa më parë ta zhbllokojnë për qarkullim atë rrugë magjistrale”.

Për të parë gjendjen në këtë anë, të mërkurën kanë qëndruar në Bajgorë, kryetari i Komunës, Avni Kastrati, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala. Drejtuesit komunalë u takuan me qytetarë, të cilët i njoftuan për masat e ndërmarra për zhbllokimin e rrugëve.

Drejtori Bala tha se deri të mërkurën edhe tri fshatrat e Komunës së Leposaviqit, Bistrica, Ceraja dhe Koshtova kanë qenë të bllokuara. “Ne kemi kontaktuar me kompaninë që është përgjegjëse për pastrimin  e rrugëve në ato fshatra dhe sot na e kanë konfirmuar se kanë nisur punën”.

Në ndërkohë ai bëri të ditur se është angazhuar edhe një kamion i Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së për pastrimin  rrugëve. “Ne dje kemi shpallur  gjendje gatishmërie dhe kemi aktivizuar edhe Komitetin për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera dhe kemi kërkuar edhe mbështetjeje nga FSK-ja”. 

Drejtori Bala tha se si pasojë e gjendjes së krijuar, të martën kanë intervenuar në dy raste për të dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë, qytetarë që kishin probleme shëndetësore. “Për shkak të bllokimit të shumë rrugëve ne kemi qenë në gatishmëri që t’u ndihmojmë qytetareve gjatë gjithë natës”.

Ai tregoi se të martën në mbrëmje është djegur një shtëpi në Bajgorë, ku për fat nuk ka pasur dëme në njerëz. Tha se është djegur shtëpia e familjes 8-anëtarëshe e Islam Musës. “Anëtarët e asaj familje janë të vendosur tek të afërmit dhe ne do të jemi pranë tyre që t’u ndihmojmë me ushqime dhe gjëra tjera të nevojshme”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)