Nis zgjerimi i rrethrrotullimit në rrugën nacionale Besi - Podujevë
Prishtinë, 27 mars - Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur se sot kanë filluar punimet në zgjerimin e rrugës nacionale N25, segmenti Rrethrrotullimi Besi - Podujevë, llot 5, projekt ky i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.
Punimet e këtij projekti janë duke u bërë sipas dinamikës së paraparë. Largimi i shtresës ekzistuese të asfaltit për segmentin e parë do të bëhet nga fillimi i trasesë në fshatin Gllamnik e deri tek hyrja e parë e qytetit të Podujevës, në një gjatësi prej 2500 metrash.
Realizimi i këtij pozicioni ka filluar sot, ndërsa punimet planifikohet të përfundojnë deri në fillim të muajit gusht të këtij viti. Më pas pritet fillimi i shtrirjes së shtresave të reja të asfaltit sipas projektit për këtë segment.
Për të mundësuar zhvillimin normal të komunikacionit në këtë pjesë të rrugës, kompania e kontraktuar nga MI, në bashkëpunim me menaxherin e projektit dhe ekipet mbështetëse të MI-së, kanë filluar ndërtimin e segmenteve anësore, që do të shfrytëzohen si anashkalime për qarkullim të pandërprerë të trafikut.
MI ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të kenë mirëkuptim.