Nis rregullimi i rrugës në Kroin e Vitakut
Mitrovicë, 3 gusht - Pas rindërtimit të dhjetëra shtëpive dhe kthimit të shumë familjeve për jetuar në Kroin e Vitakut, lagje kjo në veri të Mitrovicës, e cila për dhjetë vjet ishte e braktisur, kanë nisur të realizohen edhe projekte të infrastrukturës. Tashmë veç është kryer pjesa më e madhe e punëve për përgatitjen e rrugës së lagjes për asfaltim.
Për ta parë ecurinë e punëve në këtë lagje të veriut, atje ka qëndruar kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli. Ata janë shprehur të kënaqur për realizimin e këtij projekti që do të lehtësoj jetën e banorëve që kanë nisur jetën e re në atë lagje.
Kryetari Kastrati theksoi se projektet e infrastrukturës që janë realizuar në këtë lagje si ujësjellësi, mandej rrjeti elektrik, kanalizimi dhe tash rruga, do të motivojnë edhe të tjerët që të kthehen në lagjen e tyre që po rindërtohet. Është kënaqësi të shohësh banorët që i janë kthyer pronave dhe shtëpive të tyre që janë rindërtuar. Është një fillim i një jetë të re në trojet e tyre të vjetra.
Në kontekst të krijimit të kushteve më të mira për banorët e Kroit të Vitakut, kryetari Kastrati përmendi edhe ndërtimin e një objekti shkollor në vitin e kaluar në fshatin Suhadoll, ngjitur me këtë lagje. Tha se nxënësit e këtij lokaliteti nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë deri në Mitrovicë për të ndjekur shkollimin.
Ndërsa drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tregoj se përveç rregullimit të rrugës, e cila së shpejti pritet të asfaltohet, në këtë lagje do të realizohen edhe projekte të tjera. Ceku projektin që pritet të nis për ndriçimin publik si dhe atë për instalimin e rrjetit të internetit.
Drejtori Veseli, tha se gjatësia e rrugës që do të asfaltohet në këtë lagje është 1 mijë e 300 metra. Sqaroi se përveç pjesës kryesore do të asfaltohen edhe shumë rrugë dytësore në mënyrë që të gjitha shtëpitë të kenë qasje në këtë rrugë.
Në anën tjetër, ai theksoi se rindërtimi i shtëpive në këtë lagje, por edhe në lagjet tjera të veriut do të vazhdojnë. Jemi duke pritur që qeveria të ndaj një fond për vazhdimin e këtij procesi.
Tha se deri me tash në veri, duke përfshirë Kroin e Vitakut, mandej Lagjen e Doktorëve, Lagjen e Boshnjakëve, 7 Shtatorin etj, janë rindërtuar rreth 100 shtëpi që kanë qenë të djegura ose të shkatërruara në luftë. Nevoja për rindërtim është e madhe dhe ne jemi duke punuar që ky proces të mos ndalet deri në rindërtimin e shtëpisë së fundit.