Nis greva më e madhe e trenave në Gjermani
Berlin, 19 tetor - Sektori gjerman i hekurudhave filloi sot grevën më të madhe që prej vitit 2008, që do të zgjasë deri të hënën, në sfondin e konfliktit të pagave dhe luftës së pushtetit mes sindikatave.
\"Që prej fillimit të lëvizjes, vetëm 30 për qind e linjave të mëdha të trenave janë në qarkullim\", shprehet kompania \"Deutsche Bahn\" në një komunikatë. Greva do të përfundojë të hënën në orën 02:00 GMT.
\"Kjo grevë ka prekur gjithashtu linjat rajonale dhe urbane të trenave, si dhe transportin e mallrave, i prekur ndjeshëm që prej ditës së premte\", shtoi kompania, pa dhënë shumë detaje.
Greva ka shkaktuar vështirësi në qarkullim pasi hekurudhat janë sektori i transportit publik më të përdorur nga gjermanët për të lëvizur.
Sindikatat dhe autoritetet njoftuan se janë vendosur në kontakt për zgjidhjen e situatës dhe se do ti japin fund sa më shpejt kësaj gjendjeje kaotike në transportin hekurudhor para ditës së hënë.
\"Me mjetet që kemi në dispozicion, të paktën një e treta e trafikut do të sigurohet në të gjithë vendin dhe rikthimi në normalitet do të jetë i garantuar\", theksoi \"Deutsche Bahn\".
Sindikata e drejtuesve të lokomotivave \"GDL\" kërkon mes të tjerash një rritje të pagave me pesë për qind dhe një reduktim prej dy orësh nga java e tyre e punës.