Nis gara për telefoninë e tretë
Prishtinë, 25 mars - Ndonëse anëtarëve të Bordit të ARKEP-it u ka skaduar mandati ligjor, Bordi i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka marrë vendim për hapjen e garës për telefoninë e tretë mobile dhe brezin e ri frekuencor për territorin e Kosovës.
Në njoftimin e ARKEP-it, thuhet se më 12 mars ky autoritet ka marrë vendim që të hapet ankandi publik për brez të ri frekuencor, që nënkupton hapje të tenderit për telefoninë e tretë mobile.
Në bazë të këtij vendimi, të bordit të ARKEP-it, edhe operatorët e tjerë mobilë që janë aktualisht të licencuar në Kosovës si Vala, Ipko, Z Mobile dhe D3 kanë të drejtë pjesëmarrje në garë ndërkohë që ARKEP-i, nuk e ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në garë edhe të operatorëve serbë.
/Kosova Sot/