Nis asfaltimi i rrugës Qafë Duhël-Topillë-Grajçevc-Papaz
Prishtinë, 24 korrik - Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku dhe kryetari i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Ferizajit Muharrem Sfarça, inauguruan fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Qafë Duhël-Topillë-Grajçevc-Papaz, segmenti Topillë, e cila rrugë lidh tri komuna: Shtimen, Ferizajn dhe Suharekën.
Pas ianugurimit të fillimit të këtyre punimeve ministri Zharku theksoi se ky është një projekt madhor me rëndësi të madhe për qytetarët e këtij rajoni.
\"Investimi është i Ministrisë së Infrastrukturës, në përputhje me projektin e përgatitur nga Komuna e Shtimës. Në komunën e Shtimes janë duke vazhduar edhe projekte të tjera, sipas memorandumit të nënshkruar gjatë këtij viti e ku hyjnë zgjerimi i rrugëve në hyrje të këtij qyteti në vlerë prej 400 mijë euro. Këto investime që po realizohen nga Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, janë në të mirë të qytetarëve të kësaj komune, që tu mundësohet një zhvillim më i mirë i bizneseve, të kësaj ane tha ministri Zharku.
Ndërsa kryetari i Shtimes Naim Ismajli, e falenderoi ministrin Zharku për këtë investim.
Ky projekt më herët ka mundur vetëm të imagjinohet, dhe ishte identifikuar si projekt me prioritet, me interes për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe turizmin malor në këtë anë. Me asfaltimin e kësaj rruge banorëve të këtyre fshatrave do tju jepet mundësia që maksimalisht të shfrytëzojnë pronat e tyre, tha Ismajli.
Kryetari i Ferizajit, Muharrem Sfarça, tha se kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për këto fshatra.
\"Falë përkujdesjës së ministrisë së Infrastrukturës dhe kërkesave të kryetarëve të komunave të Ferizajit dhe Suharekës, ka rëndësi jo vetëm qarkullimi rrugor por edhe ndikimi i drejtëpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisës dhe blegtorisë së një vend shumë atraktiv. Ky projekt po realizohet falë ministrit Zharku i cili po përmbyllë një varg investimesh, tha ai.
Rruga ka një gjatësi rreth 8.2 kilometra, me gjerësi prej 5 metra si dhe me sinjalizimin horiziontal dhe vertikal. Këtë rrugë do ta financojë Ministria e Infrastrukurës, ndërsa projekti kap vlerën prej 760 mijë euro.