23 Dhjetor 2024

Nis asfaltimi i rrugës në Kroin e Vitakut

Mitrovicë, 1 nëntor - Ka nisur asfaltimi i rrugës në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës, lagje në të cilën  para dy vitesh ishte kundërshtuar me forcë rindërtimi dhe kthimi i banorëve shqiptarë nga grupet serbe.

Tash aty situata është e relaksuar dhe pranë njëri-tjetrit jetojnë shqiptarë e serbë pa ndonjë problem.

Këtë e ka spikatur edhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili të martën i shoqëruar nga drejtori i Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, Rasim Veseli si dhe drejtorin e Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, ka vizituar këtë lagje.

Zyrtarët komunalë biseduan me banorë shqiptarë e serbë, të cilët ishin shumë të kënaqur me punën që po bëhet aty.

Kryetari Kastrati, tha se kjo lagje është shembulli më i mirë për të ardhmen e Kosovës. “Këtu para dy vitesh kishte shumë probleme, meqë grupet serbe kundërshtonin procesin e rindërtimit të shtëpive si dhe kthimin e banorëve shqiptarë. Tash shohim se jetojnë në fqinjësi pa telashe”.

Ai theksoi se kjo është inkurajuese edhe për banorët, por edhe për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për të rritur investimet në veri.

Ai tha se jeta në këtë lagje dëshmon se banorët e rëndomtë janë të interesuar për normalitet, për dallim nga strukturat paralele serbe që tentojnë të mbajnë situatën të tensionuar.

Kryetari Kastrati falënderoi banorët për sjelljen e tyre të pjekur, duke pasur parasysh situatën aktuale në veri.

Poashtu ai premtoi vazhdimin e investimeve në të gjitha lagjet e veriut me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për jetë të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre etnike.

Shumë të kënaqur për kushtet që po krijohen u shprehën vetë banorët. Sokol Behrami, i cili kishte dalur për të parë ecurinë e punëve në rindërtimin e shtëpisë së tij që ka filluar në thellësi të lagjes, tha se janë shumë të gëzuar me punët që po bëhen.

Ai tregoi se më herët në këtë lagje nuk ka pasur rrugë të asfaltuar, madje as ndriqim publik. “Tash asnjë nuk ka arsye që të mos kthehet në lagje. Të gjithë atyte që u rindërtohen shtëpitë duhet të kthehen, meqë nuk kanë asnjë problem, madje i kanë kushtet e jetës shumë të mira”.

Të kënaqur me investimet që janë duke u bërë në këtë lagje u shprehën edhe banorët serbë që janë vendosur në objektet kolektive të ndërtuara në trojet që janë blerë nga shqiptarët.  Ata thanë së nuk kanë kurrfarë problemesh me fqinjët e tyre shqiptarë.

Lidhur me asfaltimin e rrugës, drejtori për Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, Rasim Veseli, tha se ky projekt është financuar nga qeveria dhe komuna.

“Projekti i rrugës në përgjithësi ka kushtuar 228 mijë euro, prej të cilave 100 mijë i ka siguruar komuna, ndërsa pjesën tjetër qeveria”.

Ai sqaroi se rruga është e gjatë 1.5 kilometra dhe pos pjesës kryesore do të asfaltohen edhe rrugët dytësore në Kroin e Vitakut.

Ai tha se rruga është e gjerë 5 metra në pjesën kryesore dhe po punohet nga kompania “Liri Gzoni Trans”.

Drejtori Veseli tha se edhe procesi i rindërtimit në lagje po ec mirë dhe pa probleme. Në këtë lagje janë duke u rindërtuar rreth 40 shtëpi, ndërsa në gjithë veriun e qytetit deri me tani janë në proces të rindërtimit më shumë se 100 shtëpi.    
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)