Nesër seanca e jashtëzakonshme për privatizimin e PTK
Prishtinë, 2 tetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së, të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe e disa deputetëve të tjerë për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Kërkesa e 40 deputetëve nënshkrues, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit, e obligon Kryesinë që të thërrasë seancën e kërkuar të jashtëzakonshme.
Në seancën e nesërme parashihet të krijohet Komisioni hetimor parlamentar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Kërkuesit e seancës kanë precizuar që Komisioni hetimor të ketë mandatin kohor të punës, konform ligjit (prej gjashtë muajsh) dhe të përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët pritet të emërohen në seancë nga të gjitha grupet parlamentare .