Nënshkruhet marrëveshja për zgjerimin e rrugës në kufirin e Vërmices
Kjo Marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Financave, Besim Beqaj dhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Ministri Bajram Rexhepi, tha se me këtë donacion të përbashkët të tri ministrive, mundësohet qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave në pikën kufitare në Vërmicë.
Shiritat lehtësues paraqesin një domosdoshmëri dhe hap pozitiv drejt qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave dhe mos shkaktimit të pengesave dhe radhëve në Pikën e Kalimit Kufitar-Vërmicë, duke marrë në konsideratë se është PKK me fluks më të madh të hyrje-daljeve të njerëzve dhe automjeteve, , tha ministri Rexhepi.
Në të njëjtën kohë do të bëhet qarkullimi më i mirë qytetarëve që mundëson kontrollim më të mirë të mallrave dhe ua lehtëson punën policisë dhe doganierëve dhe oficerëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Ndërsa ministri Besim Beqaj tha se është me rëndësi që Menaxhimi i Integruar i Kufirit të funksionojë dhe qytetarët dhe bizneset të kenë sa më të lehtë kalimin dhe të mos ketë pritje të panevojshme.
MF është e orientuar që të luftojë ekonominë joformale dhe ky është edhe një hap më tutje në këtë drejtim, tha Beqaj.
Ministri i Financave Besim Beqaj tha se zgjerimi i trasesë do të krijoj kushte dhe hapësira të nevojshme sipas standardeve dhe praktikave më të mira evropiane.
Sipas ministrit Beqaj kjo do të mundësoj gjithashtu edhe qarkullim më të shpejtë të mallrave, udhëtareve dhe do të lehtësoj menaxhimin më efektiv dhe efikas nga ana e zyrtarëve kufitar.
Ministri Fehmi Mujota the se Ministria e Infrastrukturës do të bartë të gjitha obligimet e veta që dalin nga ky projekt aq më tepër kur kemi të bëjmë me ndërtimin e një autostrade dhe pikë kalimi kufitar modern, me standarde evropiane.
Në kuadër të këtij projekti, planifikohet të ndërtohet traseja edhe me dy shirita lehtësues, katër korsi me gjerësi tre metra, në hyrje të PKK në Vërmicë.
Ky projekt i cili ka kushtuar 376 mijë e 490 euro, pritet të përfundojë në fillim të muajit qershor.