Nënshkruhet marrëveshja për transferimin e Stacionit të Autobusëve në NP
Gjilan, 8 qershor – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit për transfesrimin e NSH “Kosovatrans” në Ndërmarrje Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve”.
Kryetari Haziri e ka falënderuar Tolajn për bashkëpunimin në zgjidhjen e këtij problemi pronësor mes dy institucioneve.
“Transferi po bëhet nga ndërmarrja shoqërore në ndërmarrje publike lokale dhe sot praktikisht mbyllet çështja e Stacionit të Autobusëve të Gjilanit dhe janë bartur të gjitha çështjet që lidhen edhe me asetet e me problemet tjera pronësore që kanë qenë. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe jemi shumë të kënaqur me këtë arritje”, ka thënë Haziri, pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
Kurse, drejtori i AKP’së, Valon Tolaj, e ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë proces të rëndësishëm.
“Ka një kohë të gjatë që ligji ka hapur rrugë që për ndërmarrjet shoqërore për “Kosovatransat” duhet të përgatitet infrastruktura ligjore që të kalojnë tek Komunat. Sot po e përmbyllim këtë proces me njërën nga komunat – Gjilanin. Nga sot, me nënshkrimin e këtij memorandumi, praktikisht AKP nuk ka më asnjë obligim ligjor në menaxhimin dhe administrimin e kësaj ndërmarrjeje”, tha Tolaj.