Nënshkruhet marrëveshja për hekurudhat dhe rrugët mes Kosovës dhe Serbisë
Prishtinë, 14 shkurt - Sot në Munih të Gjermanisë është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën që lidh dy shtetet.
Kjo është bërë nën prezencën e ambsadorit amerikan Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.
Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Philip Kosnett dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriq.
Këtë marrëveshje e ka cilësuar si historike ambasada e SHBA-ve në Gjermani.
“Ambasadori Grenell e ka hapur Konferencën e Sigurisë në Mynih me një marrëveshje historike të hekurudhave dhe autostradave mes Kosovës dhe Serbisë, pas marrëveshjes së muajit të kaluar për linjën ajrore Beograd-Prishtinë”, thuhet në postimin e ambasadës në Twitter.
Ndërkaq i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, është shprehur i lumtur që Kosova dhe Serbia kanë arritur të nënshkruajnë edhe një marrëveshje tjetër – marrëveshjen për linjën hekurudhore dhe autostradat.
“Ajo që kemi bërë sot këtu është që kemi negociuar për të gjetur mënyrën që të hapim linjën hekurudhore dhe autostradat. Siç e dini të gjithë, ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit – dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera”.
Grenell pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka thënë se të dy presidentët – Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq – janë pajtuar që fokusi duhet të jetë në zhvillimin ekonomik.
“Ajo çfarë kam folur me të dy presidentët [Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq] është që të provojmë, sa më shumë që është e mundur, që të koncentrohemi në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të ardhmen”.