Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Prishtinë - Beograd
Berlin, 20 janar - Sot në ambasadën amerikane në Berlin, me anë të një ceremonie në prezencën e ambasadorit amerikan Richard Grenell, përfaqësuesit e kompanisë “Lufthansa” i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për operimin e aviokompanisë Lufthansa në linjën Prishtinë - Beograd.
Lidhur me këtë institucionet e Kosovës do të ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.
Të gjitha fluturimet kërkojnë aprovimet dhe licencat sipas kërkesave rregullatorë të zbatueshme në Republikën e Kosovës si dhe bazuar në legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjen për Hapësirën e Përbashkët Ajrore Evropiane (HPAE (ECAA))
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.
“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha.
“Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës”, shtoi ai.
Berisha u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë.
Prezent në konferencën për media në Berlin, ku u njoftua publiku për këtë çështje, ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.
Fillimi i linjës ajrore Prishtinë - Beograd mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.