Nënshkrimi i kontratës për PTK-në shtyhet për 26 dhjetor
Prishtinë, 16 tetor - Komisioni Qeveritar i Privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së (KQP) është takuar sot për të shqyrtuar gjendjen aktuale në lidhje me procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së.
Në takimin e sotëm, KQP ka konstatuar se vonesa në procesin e nënshkrimit të marrëveshjes së shitblerjes, ka ardhur si rezultat i mosshqyrtimit nga Kuvendi i Kosovës i raportit për procesin e privatizimit të PTK-së dhe se në mungesë të një miratimi formal nga ana e Kuvendit të Kosovës të këtij raporti, KQP nuk është në gjendje të nënshkruaj kontratën e shit-blerjes.
Si rrjedhojë, KQP pas konsultave me këshilltarët e transaksionit që mbështesin këtë proces, ka shtyrë datën e nënshkrimit të marrëveshjes së shitblerjes me konsocrciumin Axos & Najafi dhe partnerët e tyre, për më së largu me 26 dhjetor 2013.
Shtyrja e datës së nënshkrimit për 26 dhjetor 2013 bëhet në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës në fuqi dhe rregullat e tenderit.
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së vlerëson se shitja e 75% të aksioneve të PTK-së bazuar në procesin aktual të privatizimit është zgjidhja që shkon më së shumti në dobi të interesit publik të qytetarëve të Kosovës dhe PTK-së si kompani.
Në takimin e sotëm KQP ka miratuar edhe mendimin ligjor të këshilltarit strategjik, kompanisë Hunton & Williams, për ligjshmërinë dhe mbarëvajtjen e procesit të privatizimit të PTK-së deri në momentin aktual, pranimi i të cilit mendim ka qenë obligim kontraktual për këshilltarin strategjik.
Në mendimin e tyre ligjor në lidhje me procesin kompania Hunton & Williams përveç se e vlerëson me tone shumë pozitive procesin shprehet: Në bazë të diskutimeve tona në çdo hap të transaksionit me Këshilltarin e Transaksionit, Njësinë për Implementimin e Projektit dhe vet KQP-në ne kemi arritur të konkluzioni se implementimi i transaksionit të PTK-së është bërë duke u bazuar në një proces me rregulla të qarta në vazhdimësi dhe transparent. Tutje, këshilltari strategjik në mendimin e tij shprehet se është i bindur se ky proces është në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.