22 Dhjetor 2024

Në shtator ndahet hekurudha

Prishtinë, 4 korrik - Raporti i Bankës Botërore për reformat hekurudhore në Evropën Juglindore dhe Turqi ka vlerësuar se, edhe pse në vitin 2008 Kosova ka miratuar një ligj për hekurudhat, akoma nuk janë parë rezultatet e tij në praktikë.


Drejtoresha e Zyrës për Informim në Ministrinë e Infrastrukturës, Saranda Jusufi, ka bërë të ditur për Epokën e Re se procesi i ndarjes së hekurudhës në dysh do të finalizohet deri në fund të shtatorit ose eventualisht në fund të këtij viti.


“Bazuar në Ligjin dhe Vendimin e Qeverisë së Kosovës për Hekurudhat e Kosovës, institucionet gjegjëse kanë filluar procesin e ndarjes së hekurudhave të Kosovës në dy shoqëri të reja aksionare, në atë të infrastrukturës së hekurudhave të Kosovës (INFRAKOS) dhe operimit me trena të hekurudhave të Kosovës (TRAINKOS)”, ka thënë Jusufi, duke bërë me dije ndërkohë se procesi ka filluar në vitin 2010 dhe se HK-ja ka caktuar grupet punuese, të cilat janë duke punuar në procesin e ndarjes.


Raporti i Bankës vë në pah se në vitin 2010 Kosova ka miratuar një akt ligjor me të cilin e ndante infrastrukturën nga shërbimet e transportit. Akti synonte ta ndante hekurudhën e Kosovës në dy shoqëri aksionare, mirëpo ky ndryshim nuk është zbatuar ende. Sipas raportit, vendet e Ballkanit nuk kanë bërë shumë përparime në hekurudhë.


Raporti i Bankës Botërore, “Reforma hekurudhore në Evropën juglindore dhe Turqi: në rrugën e duhur”, i rishikon hekurudhat e këtij rajoni pesë vjet pas studimit të parë të vitit 2005. Nga ky raport konkludohet se përafrimi me standardet që ka BE-ja mbetet ende larg.


Së bashku me Kosovën, performancë të keqe të këtij sektori kanë edhe Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria, ndërkohë që Turqia mban radhën si vendi i parë që ka bërë përmirësimet më të mëdha si në rritjen e produktivitetit të hekurudhave, ashtu edhe në rritjen e trafikut në to.


Qeveria e Kosovës ka paraparë që për disa vjet ta modernizojë sistemin hekurudhor në vend. Një ndër qëllimet është të bëhet instalimi elektrik në sistemin hekurudhor, pasi është shumë më i lirë. Deri më tani Qeveria e Kosovës ka investuar për riparim të një lokomotive.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)