Në Merdare ndërpritet qarkullimi për kamionët me peshë të rëndë
Prishtinë, 12 maj - Zyrtarët Policor të Policisë Kufitare të Kosovës që shërbejnë në pikë kalimin kufitarë Merdare, kanë pranuar një informacion nga autoritetet policore serbe se është ndërprerë qarkullimi i automjeteve transportues (kamionëve) me peshë, në të dy drejtimet, atë nga Serbia për në Kosovë dhe anasjelltas.
Ndërprerja e qarkullimit të automjeteve transportuese të ngarkuara me peshë është bërë për arsye të organizimit të një proteste të një grupi qytetarësh serbë në territorin e Serbisë, të cilët në shenjë revolte kanë bllokuar rrugën me arsyetimin se më datë 11.05.2012 një kamion i ngarkuar me rërë, nga pasha e rëndë ju ka dëmtuar një urë.
Zyrtarët Policor të Policisë Kufitare të Kosovës rreth orë 14:00 kanë kontaktuar me autoritetet policore serbe dhe kanë sqaruar se automjetet e vogla dhe automjetet transportuese të cilat nuk janë të ngarkuar me peshë të rëndë mund të qarkullojnë, ndërsa për ato të cilat janë të ngarkuara me peshë të rëndë ju është ndërprerë qarkullimi deri në një vendim të ardhshëm.
Policia e Kosovës informon dhe njëherit apelon të gjithë ngasësit e automjeteve transportuese që bartin pasha të rënda që të shfrytëzojnë për qarkullim pikë kalimet tjera kufitare e jo atë të Merdares.