Në Bruksel u mbajt takimi i radhës për çështjet e telekomunikacionit
Prishtinë, 28 janar - Nën drejtimin e zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, delegacioni i Republikës së Kosovës mori pjesë në takimin e radhës për çështjet e telekomunikacionit që u mbajt dje në Bruksel.
Në këtë takim të gjatë që filloi paradite dhe vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me kryesimin e Bashkimit Evropian, delegacionet e të dyja shteteve Kosovës dhe Serbisë biseduan rreth planit aksional të marrëveshjes për telekomin.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, pas përfundimit të takimit deklaroi se ky ishte takimi i dytë i radhës për zbatimin e marrëveshjes së telekomit dhe në të u shënuan përparime mjaft të mëdha në të gjitha aspektet e përcaktimit të obligimeve dhe afateve kohore për të dyja palët.
Ajo u shpreh optimiste se plani aksional mund të kompletohet së shpejti për ti hapur rrugë zbatimit praktikë të marrëveshjes së telekomit ndërsa theksoi se pala e Kosovës ka insistuar që mos krijohen pretekste të pabaza për zvarritjen e planit aksionar duke qenë se marrëveshja e arritur është e qartë.
Ne po ashtu kemi kërkuar që Bashkimi Evropian të nis përgatitjet për procesin e ndihmës që do tja ofroj Kosovës për marrjen e kodit telefonik nga Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU).
Në takim është biseduar edhe çështja e shpejtimit të marrëveshjeve roming mes operatorëve të të dyja shteteve me qëllim të uljes së kostos së shërbimeve të telefonisë mobile për qytetarët. Në këtë takim palët u pajtuan se kufiri frekuencor mes dy shteteve duhet të respektohet dhe të mos ketë ma ndërhyrje në brezin frukuencor të njëra tjetrës, duke respektuar plotësisht standardet e ITU-së në këto çështje, ndërsa u shpreh gatishmëri për bashkëpunim të ndërsjellë rreth agjendës për digjitalizim, tha znj. Tahiri.
Në delegacionin e Republikës së Kosovës të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ishin edhe Gazmir Raci, këshilltar politik dhe Koordinator politik i çështjes, Ekrem Hoxha, kryetar i Bordit të Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Besnik Berisha, anëtarë i bordit të ARKEP-it, Ilir Imeri, udhëheqës i departamentit të komunikimeve elektronike në ARKEP, Besim Rexhepi nga departamenti per menaxhimin e frekuencave në Komisionin e Pavarur për Media, Shpetim Qerimi, projekt menaxher nga PTK dhe Robert Erzin, Drejtor Ekzekutiv i IPKO-së.