Ndryshon traseja e autostradës Ibrahim Rugova
Prishtinë, 14 prill - Në segmentin e shtatë të autostradës Ibrahim Rugova ka pasur një ndryshim në projekt.
Ndryshimin e trasesë së autostradës në pjesën e Fushë Kosovës nuk kanë dashur ta sqarojnë zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës me arsyetimin se projektimi i këtij segmenti ende nuk ka përfunduar.
Drejtori i Drejtorisë së rrugëve, Ramë Qypeva, i ka thënë RTK-së se ky segment është ndryshuar për te ju shmangur kostos së lartë të ndërtimit të autostradës.
Por, Ela Ruqi, zëdhënëse e kompanisë ndërtuese Bechtel & Enka, thotë se punimet në autostradë janë kryer sipas parimit projekto-punos, prandaj sipas saj ka mundësi që të ketë ndryshime.
Megjithë kritikat e analistëve të ekonomisë për këtë mënyrë ndërtimi, Ruqi thotë se projekto-puno ka rezultuar si projekt i suksesshëm i të ndërtuarit.
Mendoj se ky është një model i suksesshëm i ndjekur në shumë vende të botës, ka thënë ajo për televizionin publik.
Deri më tash janë punuar 60 kilometra të autostradës Vermicë-Merdare ndërsa kanë mbetur të kryhen edhe 20 të tjera. Për pjesën e ndërtuar qeveria e Kosovës ka paguar afro 600 milionë euro ndërsa sivjet ka ndarë nga buxheti i Kosovës edhe 220 milionë euro të tjera.