Ndërtohet hekurudha Turkmeni-Afganistan-Taxhikistan
Kabul, 4 qershor - Nesër me 5 qershor do të hidhen themelet e projektit të hekurudhës Turkmeni-Afganistan-Taxhikistan.
Në ceremoninë e hedhjes së themeleve, që do të organizohet ditën e mërkurë nën mikpritjen e Presidentit turkmen, Gurbanguli Berdimuhamedov, do të marrin pjesë gjithashtu homologët e tij nga Afganistani dhe Taxhikistani, përkatësisht Hamid Karzai dhe Imamali Rahman.
Liderët e këtyre 3 vendeve, në samitin e realizuar në Ashkabad më datë 20 mars 2013, kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit lidhur me projektin në fjalë.
Në kuadër të projektit, do të ndërtohen 85 km hekurudhë në linjën Atamurat-Imamnazar. Kurse faza e dytë parashikon shtrimin e 38 km hekurudhë nga Imamnazari deri në rajonin And\'hoj të Afganistanit. Shinat e hekurudhës në fjalë do të shtrohen me burimet financiare të Turkmenisë.
Për këtë linjë hekurudhore me gjatësi totale 400 km pritet të investohen rreth 400 milionë dollarë.
Kabuli zyrtar kërkon ndihmën e Bankës Aziatike për Zhvillim në lidhje me pjesën e projektit që i takon Afganistanit.
Ndërkaq, në kërkim të burimeve financiare për pjesën e vet rreth 160 km të gjatë është vënë edhe qeveria e Taxhikistanit. Ky vend pret ndihma nga Banka Islamike për Zhvillim.