Ndërtimtarët po shkaktojnë kaos të trafikut në Prishtinë
Prishtinë, 13 nëntor - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut - (KMDLNj) vlerëson se që një kohë të gjatë trafiku urban dhe ndërurban i Prishtinës është i stërngarkuar me automjete duke e sjellë këtë trafik në gjendje kolapsi.
Sidomos trafiku është i stërngarkuar dhe i mbipopulluar me vetura nga ora 7.00 e mëngjesit deri në ora 10.00 dhe nga ora 15.00 deri në ora 18.00, pas dite.
KMDLNj thekson se që të jetë edhe më keq, po në kohën kur kemi trafik të stërngarkuar, me kolona të gjata e në disa raste edhe bllokim total , mund të shihnë me dhjetra kamionë që bartin dhe apo materiale tjera inerte nga kantieret e ndërtimit, deri te vendi ku i shkarkojnë këto materiale.
Gjithashtu sipas KMDLNJ-së mund të shihni dhjetra “ betonjerka “ të cilat përveçse e dëmtojnë shtresën e asfaltit , lënë prapa vetes edhe betone të mbetura e që pastaj bëhen pjesë e asfaltit duke krijuar shtresa që dëmtojnë veturat tjera.
"Mos të flasim edhe për automjete tjera të rënda për zbrazjen e “ betonjerkave “ dhe të gjitha këto, së bashku, kontribuojnë shumë në bllokimin e trafikut."
"Drejtoritë përkatëse të komunës së Prishtinës duhet të vendosin rregull në trafikun urban duke shfrytëzuar përvojat e qyteteve tjera të mëdha e që janë përballur me të njëjtin problem përkatësisht duhet të ndalojnë qarkullimin e makinerisë së rëndë të ndërtimit gjatë kohës kur ka stërngarkim , nga ora 7.00- 10.00 të mëngjesit si dhe nga ora 15.00 – 18.00 të mbrëmjes", konsideron KMDLNj.
Ky kufizim do të vlente vetëm gjatë ditëve të punës kurse jo edhe gjatë fundjavës si dhe ditëve të festave.
Nuk mund të gjeni qytet në Europë ku makineritë e rënda për ndërtim qarkullojnë për qendër të qytetit apo me orar të plotë .
Ata që pajisen me leje ndërtimi e kanë të caktuar orarin kur këto makineri mund të përdoren sikur edhe rrugët ku mund të lëvizin.
Drejtoritë përkatëse të komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës sipas KMDLNj-se duhet të gjejnë një zgjidhje sidomos për periudhën dimërore që të kufizojnë lëvizjen e veturave dhe mjeteve tjera të transportit duke kufizuar përdorimin e një veture për një familje gjatë një dite , nëse i kanë dy ose më shumë vetura sikur që edhe të vendoset një taksë e veçantë për ata që me çdo kusht duan të hyjnë me veturë në qendër të qytetit.
Në mungesë të vendeve për parkim, komuna e Prishtinës gjithnjë sipas KMDLNJ-së duhet t’i shrytëzojë të gjitha hapësirat publike për parkim me pagesë përjashtuar këtu banorët e përhershëm në atë lokacione.
Në këtë mënyrë do të kontribuohej në përmirësimit e cilësisë së ajrit , do të zvogëlohej stërngarkimi i trafikut dhe do të krijohej një fond shtesë për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit të Prishtinës.
"Me një stërngarkim të trafikut që e kemi tani në Prishtinë, me tendencë të përkeqësimit, me uzurpim të trotuareve dhe hapësirave tjera, skajshmërisht kufizohet dhe rrezikohet lëvizja sikur edhe rritet ekstremisht ndotja e ajrit e që të dyja llogariten si të drejta elementare të njeriut e që shkelen në mënyrë flagrante."
"Mos të flasim për pasojat për të sëmurët, ndihmën e shpejtë, shërbimi i zjarrëfikësve, nxënësit, studentët dhe të punësuarit që nuk kanë qasje të shpejtë për shërbime, shkollim dhe për të punuar", pohon me tujte KMDLNj.
Përfundimisht sipas KMDLNj-së komuna e Prishtinës, së bashku me Ministrinë e Industrisë duhet të gjejnë zgjidhje për vendosje të rregullit në trafikun urban dhe ndërurban në Prishtinë.